Erling Haaland është autor i një starti të mrekullueshëm me Manchester City. Norvegjezi tregon se nuk e ka aspak problem të ndryshojë skuadër dhe kampionat, pasi ai do të shënoj me të njëjtën vazhdimësi.
Sulmuesi shtatlartë deri më tani ka realizuar 10 gola në Premier League pas vetëm gjashtë javëve, ndërsa e nisi edhe me një dygolësh eksperiencë me The Citizens në Champions League teksa ndëshkoi Sevillan në fitoren 0-4 të anglezëve në Spanjë.
Pas kësaj sfide, Kevin De Bruyne që asistoi një prej golave të Haaland theksoi se 22-vjeçari mund të përmirësohet edhe më shumë e në momentin kur do të “shkrihet” totalisht në mekanizmat e Cityt, e atëherë skuadra do të bëhet edhe e frikshme.
“Mendoj se është e jashtëzakonshme mënyra si Haaland është përshtatur me skuadrën.
Por, mendoj se veç pjesës së golave, te City do të duhet të bëhet edhe më shumë pjesë e lojës. Kjo është pak më e vështirë dhe kërkon më shumë kohë, por nëse ai përshtatet me lojën tonë, atëherë do të bëhej gjithçka më emocionuese dhe niveli do të ngrihej edhe më shumë. Megjithatë, Haaland ka bërë startin perfekt dhe pjesa tjetër do të vijë me kohën”, u shpreh De Bruyne.