Dasmat e përgjakura të Pollogut

min lexim

Festat familjare për ata që festojnë janë gëzim ndërsa për qytetarët e zakonshëm janë një makth i vërtetë. Kësisoj, sezoni i verës në rajonin e Pollogut dhe jo vetëm, krahas anës festive ka edhe anën e errët. Atë të përdorimit të armëve gjatë dasmave dhe festave tjera familjare. Në këtë rajon, në të kaluarën ka patur edhe plagosje të rënda si pasojë e përdorimit të armëve në ahengjet e ndryshme. Jo zyrtarisht nga policia e Tetovës thonë se ka persona që denoncojnë vetëm të shtëna me armë, por pa dhënë adresa të sakta se ku janë përdorur armët. Prandaj edhe policia e ka vështirë të detekojë se në cilët ahengje familjare është shkrepur arma. Fatkeqësisht, edhe sezoni veror 2022 në Tetovë dhe rrethinë nuk ka kaluar pa pasoja nga përdorimi i armëve.

Brenda dy jave, dy persona në Tetovë dhe rrethinë kanë marrë lëndime nga plumba të padestinuar. Rasti më i ri ka ndodhur në fshatin Zhelinë, kur një 40 vjeçar duke qëndruar në oborr është lënduar në krah nga një plumb i padestinuar. Ditë më parë ishte plagosur një grua në Tetovë, poashtu nga një plumb i padestinuar. Nga policia e Tetovës bëjnë të ditur se që nga fillimi i vitit në rajonin e Pollogut është regjistruar një vepër penale respektivisht shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e raportuar se ka ndodhur gjatë një feste familjare. ”Në këtë vepër penale ka mbetur i plagosur me armë zjarri një person mashkull. Nga ana e policisë së Tetovës ngjarja është zbardhur dhe dokumentuar, ndërsa kundër një autori është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Tetovës. Në ndërkohë gjatë shtatë muajve të këtij vitit janë regjistruar 5 shkelje kundër rendit dhe qetësisë publike ‘shtënie e paautorizuar me armë zjarri ose përdorimi i mjeteve piroteknike’. Të gjitha këto 5 raste kanë ndodhur në rajonin e Gostivarit të zhvilluara gjatë festimeve të dasmave dhe festave familjare”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë Fatmir Rexhepi.

Nga shkeljet e regjistruara nuk ka persona të lënduar. Shkeljet e përmendura janë ende objekt hetimi dhe pas zbardhjes së tyre do të vijojë parashtresa përkatëse në Gjykatën Themelore kompetente. Duke i paraparë përvojat e kaluara dhe aktuale lidhur me këto festa, Policia apelon tek qytetarët që të përmbahen nga të shtënat me armë, si dhe nga organizimi i paautorizuar i fishekzjarrëve. SPB Tetovë rikujton qytetarët se të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe se gjoba për këtë lloj kundërvajtje, sipas nenit 31, varion nga 200 deri në 500 euro. Varësisht nga pasojat, të shtënat mund të përbëjnë edhe vepër penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet.

Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë tashmë ka përforcuar dukshëm aktivitetet kontrolluese të planit për zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve të tilla të rendit dhe qetësisë publike, dhe me këtë temë, ndër të tjera, janë organizuar takime të shumta të grupeve këshilluese të qytetarëve dhe komuniteteve lokale dhe urbane pronarë objektesh hotelerike dhe nikoqirët e kësaj zone. Qëllimi i tyre sipas policisë është të parandalojnë ngjarjet dhe pasojat e padëshiruara të sigurisë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Kapet në flagrancë zyrtari policor që kërkoi 800 euro ryshfet për patentë-shofer

Story i radhës

Tërhiqet vala e të nxehtit afrikan në Shqipëri, por për sa kohë?

Të fundit nga