Top Channel ka nisur sezonin e ri me plot risi, ku një nga më të mëdhatë është rikthimi i emisionit investigativ “Fiks Fare” nën moderimin e dy figurave shumë të dashura për publikun shqiptar, Julian Deda dhe Xhemi Shehu. Pasi lajm u bë publik, gjatë një interviste në emisionin “Wake Up” mëngjesin e së hënës dyshja ndau emocionet dhe pritshmëritë për këtë eksperiencë të re.
Xhemi Shehu, ndërkohë, zbuloi se nuk do të jetë më pjesë e moderimit të spektaklit të humorit “Portokalli”, një lajm që e bëri atë të përlotej dhe të shprehej se do të ndjejë shumë mungesën e kolegëve të saj. Megjithatë, ajo la të hapur mundësinë për të marrë pjesë në ndonjë rol të veçantë së bashku me Julian Dedën.
“”Portokallia” është dashuria e vjetër, mund të jem ndonjëherë për ndonjë rol bashkë me Julin,” u shpreh Shehu, duke i uruar sukses moderatores së re të “Portokalli”-së, Nevina Shtylla, e cila do të vazhdojë të drejtojë spektaklin së bashku me Salsano Rrapin.
E pyetur se çfarë do t’i mungojë nga “Portokallia”, Xhemi Shehu me lot në sy dhe e mallëngjyer u përgjigj:
“Do më mungojnë të gjithë kolegët. Janë shumë të mirë dhe do më mungojnë shumë, është një staf që e dua shumë. I uroj shumë suksese Nevinës, e di që do shkëlqejnë, do jenë shumë mirë”.
Burimi: botasot.info