“Nëse do të kisha pasur fuqinë të bëja diçka ndryshe, për ditët që jeta m’i ka rrëmbyer, çdo ditë do e kisha shndërruar në një skenë ku dashuria vallëzon. Do kisha dhuruar më shumë lule dhe kohë. Do isha më i pranishëm, më i kujdesshëm, më i vëmendshëm. Përtej fjalëve, do dëgjoja shpirtin. Do kisha bërë më shumë foto të krijoja kujtime.
Nëse tek unë do të gjendej prekja e poetit, do shkruaja vargje, të cilat pa drojë do ia lexoja personit që dua. Do përpiqesha ta gëzoja më shumë, që më pas në shpirt, të më mbetej gdhendur lumturia që zgjat. E nëse do të zotëroja pak më shumë forcë se ajo e njeriut, do të kisha zgjatur ditët e gëzimeve dhe do të tkurrja ato të dhimbjes. Mbase një dëshirë jo racionale dhe e pamundur, por fundja kush tha që kështu është dashuria?
Në fakt, dashuria mund të ledhatojë me një lule, por është shumë më e madhe se një luginë me lule të çelura. Ajo mund të trokasë përmes një vështrimi a prekje, por nuk mund të zgjasë aq pak. Është kundër natyrës që ajo të qëndrojë e fjetur në heshtje. Ajo nuk ligështohet kurrë, s’krekoset dhe nuk i gëzohet së keqes. S’është egoiste, e pahijshme e as indiferente.
Dashuria duron çdo gjë, shpreson pafund dhe sakrifikon gjithçka. Dashuria është thesari më i çmuar që refuzojmë ta kemi në pronësi, gjuha më e vlerë që na sjell pranë, rrezja më e ngrohtë që shkrin kontinentet e akulltë, rruga më e lartë të cilën përdorim rrallë. Asnjë pasuri materiale nuk mund të matet me dashurinë, asnjë rrugë njerëzore e asnjë zbulim i njeriut. Dashuria është balsami që shëron çdo shpirt të lodhur dhe çdo marrëdhënie të thyer. Ajo është dhurata më e mirë që sot e çdo ditë mund t’i ofroni pa frikë njeriut që keni përzemër. Investimi më i urtë që mund të kryeni në depozitat e zemrave të të dashurve tuaj”. – Akil Pano