DASH: Vendimi për të penguar udhëtimin e Lavrovit, pasqyron angazhimin për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse

June 6, 2022
min lexim

Shtetet e Bashkuara thanë se vendimi i Bullgarisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të ndaluar avionin e Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov të kalonte në hapësirën e tyre ajrore, duke sjellë si rezultat anulimin e një vizite të tij në Serbi, pasqyron angazhimin e Evropës për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin ndaj Ukrainës.

“Kjo pasqyron angazhimin e Evropës për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në konferencën e tij të përditshme për shtyp, në përgjigje të pyetjeve të Zërit të Amerikës.

Kryediplomati rus kishte planifikuar një vizitë dyditëshe në Serbi, duke filluar nga e hëna.

Ai e cilësoi të pashembullt vendimin e tre fqinjëve të Serbisë që janë anëtare të NATO-s.

“E di se do të ketë shumë shpjegime, të cilat ne nuk i kemi dëgjuar ende. Vendet që kanë mohuar fluturimin do të thonë se kanë marrë një urdhër nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Ato ndërkaq do thonë se këto vende kanë vendosur vetë”, tha ai në një konferencë më gazetarë.

Zoti Price the se veprimi i tre vendeve ishte ishte një vendim sovran i vendeve sovrane dhe theksoi se ato janë vende të aleancës.

“Të treja vendet janë anëtare të NATO-s dhe angazhimi në bazë të Nenit Pesë (të NATO-s) ndaj këtyre vendeve është i palëkundur. Vetëm dje ne shënuam pesë vjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe në mars dy vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

Ministri Lavrov tha se askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë.

“Sidoqoftë, këto marrëdhënie nuk do të zhduken nga kanalet e tjera. Ne ftuam ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, të vizitojë Moskën brenda një kohe të shkurtër. Shpresoj që avioni i tij të mos sanksionohet në mënyrë të turpshme nga Brukseli i paturpshëm. dhe klientët e tij”, tha ministri Lavrov.

Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i bëri thirrrje Serbisë që të përqendrohet tek objektivi i anëtarësimit në BE.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përqendrohet tek synimi i saj i deklaruar për anëtarësim në BE, përfshirë harmonizimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.

Zoti Price tha se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Serbisë “që të ndërmarrë hapa që kontribuojnë në përparimin e rrugës së saj evropiane, përfshirë diversifikimin e burimeve të saj të energjisë për të reduktuar varësinë energjitike tek Federata Ruse dhe përafrimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me BE.”

“Ne kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë që të jemi partner i Serbisë për ta ndihmuar në përpjekjet e saj për të rritur sigurinë energjitike në të ardhmen afatgjatë”, tha zëdhënësi.

Paralajmërimi i vizitës së ministrit rus pasoi dakordimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç me presidentin rus Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia.

Presidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se nuk është i befasuar me atë çfarë ndodhi me anulimin e vizitës së ministrit rus, por u shpreh i pakënaqur me siç tha “atmosferën” duke nënvizuar se kaherë nuk ka parë “një histeri të tillë kundër Serbisë”.

Ai shtoi se ndalimi i fluturimit të avionit të ministrit të jashtëm rus nuk ishte shumë befasues, por problemi ishte te “vendet e vogla, të cilat shohin se nuk mund t’i bëjnë asgjë Rusisë, ndaj duan të shfryhen mbi Serbinë”./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Çfarë fshehin për ju rrudhat në fytyrë?

Story i radhës

Musk kërcënon me anulim të marrëveshjes për blerjen e Twitter

Të fundit nga

ShkoLartë