Kombëtarja e Kosovës ka startuar në mënyrën më të mirë në Grupin H të parakualikueseve për Kampionatin Evropian në basketboll.
Me një lojë cilësore i shkaktuan humbje të thellë me rezultat 76:49 kombëtares së Zvicrës, në ndeshjen që u zhvillua në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren.
Një fitore e shumëpritur, duke përforcuar hapin për pozitën e parë dhe kualifikimin më tej.
Djelmoshat tanë po përgatiten për sfidën e radhës me Danimarkën, e cila do të luhet më 26 korrik (në orën 18.00) në palestrën “Arena” në Naestved.
Basketbollisti Dardan Berisha ka treguar lojë të madhe dhe ishte më efikasi në sfidën e 19 korrikut kundër Zvicrës, me gjithsej 20 pikë të shënuara.
Dardan Berisha si gjithmonë i matur para çdo sfide. Kosova startoi furishëm, kjo fitore ndaj Zvicrës a është një paralajmërim se mund të përfundojë e para dhe a e konsideroni se finalja është me Danimarkën?
“Normal që nuk e kemi filluar turneun të dorëzuar por për të fituar.
Do të jetë shumë vështirë por do të japim maksimumin në çdo lojë”, tha Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Basketbollisti më i mirë në vendin tonë, thotë se nuk janë favorit por kërkon punë e angazhim në secilën përballje.
“Nuk jemi favorit por me punën dhe angazhim gjithçka është e mundur.
Tash shkojmë në Danimarkë për të luftuar dhe të nxjerrim rezultat sa më pozitiv. Asgjë nuk ka përfunduar. Ende i kemi edhe tre lojë për t’i zhvilluar”, shprehet Berisha.
Kosova deri me tash dy herë është takuar me Danimarkën dhe bilanci mes tyre me fitore është baras (1:1) në parakualifikueset për Kampionatin Evropian.
Më 28 nëntor të vitit 2021, Dardanët në Prishtinë triumfuan me rezultat 78:73 ndaj danezëve.
Më 30 qershor të vitit 2022 Danimarka si vendas kishte fituar me rezultat 105:71 ndaj Kosovës. Dy rivalë që e njohin mirë njëri – tjetrin.