Për më pak se dy vite mandat, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska ka ndërruar më shumë se 20 drejtorë të ndërmarrjeve dhe drejtorive në kompetencë të kryeqytetit. Ca prej tyre ia prishën qejfin kryetares për shkak se ajo dyshonte se ishin të përfshinë në korrupsion, një pjesë ishin „viktima” të përplasjeve politike ndërsa tjerët dhanë vetë dorëheqje, pasi konsideruan që nuk iu ecë komunikimi me të parën e qytetit.
Parkingu i Qytetit aktualisht është në pritje të drejtorit të 4 pasi drejtori aktual, Kërste Petrevski nga sot do të udhëheqë me një drejtori tjetër. Më herët, në krye të parkingjeve kanë qenë Filip Pashu e Bojan Hristovski.
Edhe në kolltukun e shefit të NP “Ujësjellësi” gjatë mandatit të Arsovskës janë ulur 3 drejtorë, edhe atë fillimisht Zllatko Perenski që u shkarkua pasi u akuzua nga kryetarja për manipulim me tenderë, më pas Marjan Mitovski ndërsa aktualisht është Dragan Ilievski.
Përveç “kaosit” me transportin, “kaos” ka përjetuar edhe vetë kjo drejtori me emërim-shkarkimet. Për 1 vit e gjysmë janë ndërruar 3 drejtorë, edhe atë Ivan Ilievski, Aleksandar Stojkovski ndërsa nga sot, Kërste Petrevski.
Në kolltukun e drejtorit të “Kopshtit Zoologjik” gjithashtu deri tani janë ndërruar 3 drejtorë. I pari, Kritijan Stamenov u shkarkua pasi policia zbuloi që ishin therë kuaj për t’i ngrënë. Më pas u emërua Dragan Ilievski i cili po ashtu s’gjeti rehati ndërsa aktualisht është Zoran Popov.
Prishja e koalicionit të Arsovskës më ASh-në dhe bashkëpunimi i saj me fraksionin e BDI-së gjithashtu ndërroi një sërë drejtorësh. Në Parqe dhe Gjelbërime u shkarkua Angel Sotirovski për t’ia “dhuruar” këtë post Zuhejr Rexhepit. Në “Rrugë dhe Rrugica” u emërua Said Saidi në vend të Boris Nastov.
Zudi Koka u shkarkua nga “Higjiena Komunale” dhe u zëvendësua nga Kosana Mazneva. Me Ndërmarrjen “Drislla” fillimisht u emërua Jane Micevski i cili dha dorëheqje pas kërcënimit nga Arsovska me shkarkim, në vend të tij erdhi Aleksandar Kuzinakov. Në “Lajka” Vojsilav Dimitrovski dha dorëheqje për t’ia lënë vendin Radmila Peshevës.
Përveç drejtorëve, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska ka ndërruar shpesh herë edhe bashkëpunëtorët e ngushtë si sekretarin e Qytetit dhe ngjashëm. Ekspertët e Administratës Publike shpesh herë kanë kritikuar ndërrimin e shpeshtë të drejtuesve të institucioneve, pasi që sipas tyre, kështu ulet efikasiteti i punës. /Alsat.mk