Vetëm një natë larg nga spektakli që do të rinisë në ekranin e Tv Klan, produksioni dhe të gjithë pjesëmarrësit e kastit janë drejt provave finale. Pak ditë më parë janë zbuluar edhe personazhet VIP që do të sfidojnë veten në një fushë të re, për të cilën kanë nisur nga provat prej disa javësh.
Mbrëmja e sotme i ka gjetur edhe anëtarët e jurisë në provat gjenerale para natës së parë të spektaklit. Ilir Shaqiri, kryetari i jurisë, Klaudia Pepa dhe Ermal Mamaqi do të jenë bashkë në një sezon të gjatë për të gjykuar performancat e artistëve javë pas jave.
Por ndërkohë, edhe anëtarët e jurisë, veç rolit që kanë në këtë edicion të DWM, kanë rezervuar për publikun edhe të tjera surpriza. Iliri, pak minuta më parë, për mikrofonin e Tv Klan, tha se ka dy dëshira për të përmbushur nga ky spektakël: “Dëshirat e mia në këtë spektakël janë dy, por për momentin nuk jua them. Sigurisht, njëra është primare dhe është ajo që të kërcej edhe një herë tjetër me vajzën time…”,– tha Iliri.
Me siguri, Emily, vajza e tij, do të jetë një prej surprizave më emocionuese jo vetëm të publikut shqiptar, por, natyrisht edhe të babait të saj. Mbetet të presim se çfarë do të na rezervojë prania e shumë personazheve interesantë apo të ftuarëve të tjerë, mes të cilëve, me siguri, do të jetë edhe Emily.