Federata Shqiptare e Futbollit po bën përgatitjet e fundit për të pritur sfidat e turneut ‘UEFA Development’ për djemtë e moshës U-15 që do të zhvillohet në vendin tonë nga data 2 nëntor deri më 7 nëntor.
Nga ana tjetër, ekipi ynë kombëtar do të zbresë nga kjo e premte në fushë dhe do të nisë përgatitjet për këto sfida në Durrës. Trajneri i Kombëtares U-15, Armand Dama ka zbardhur sot listën e plotë me 23 lojtarët e vegjël kuqezi të grumbulluar për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë turne zhvillimor për këtë grupmoshë.
Futbollistët e përzgjedhur nga stafi teknik i kombëtares U-15 aktivizohen jo vetëm në kampionatin shqiptar, por luajnë edhe në radhët e ekipeve të moshave europiane, si Juventus, Inter, Torino, Peterborough etj, që vijnë në këtë grumbullim pas vëzhgimit të skautëve të FSHF-së të shpërndarë në Europë dhe jo vetëm.
Një pjesë e këtyre futbollistëve të vegjël vijnë rishtaz në ekipin kombëtar U-15, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë edhe më parë në grumbullimet e zhvilluara nga skuadra kuqezi.
Siç është bërë e ditur edhe më herët nga Federata Shqiptare e Futbollit, veç Shqipërisë U-15 në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Sllovakisë, Ishujve Faroe dhe San Marinos dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.
Turneu do të nisë më 2 nëntor, ku ndeshja e parë e kuqezinjve do të jetë ajo ndaj Ishujve Faroe, me sfidën që nis në ora 10:30. Takimi i dytë i Shqipërisë në këtë turne do të jetë kundër Sllovakisë që do të luhet më 4 nëntor në ora 10:30. Tre ditë më pas, kuqezinjtë do të luajnë edhe ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj San Marinos, në ora 13:00
Më poshtë edhe kalendari i plotë i turneut ‘UEFA Development U-15’ si edhe lista e Kombëtares shqiptare U-15:
UEFA Development Tournament U-15
2 nëntor 2022
Shqipëri – Ishujt Faroe ora 10:30
San Marino – Sllovaki ora 13:30
4 nëntor 2022
Shqipëri – Sllovaki ora 10:30
Ishujt Faroe – San Marino ora 13:30
7 nëntor 2022
Shqipëri – San Marino ora 13:00
Ishujt Faroe – Sllovaki ora 10:00