Rusia është akuzuar për krime lufte në Ukrainë, teksa këto akuza janë amplifikuar pas zbulimit të dhjetëra trupave në zonat e rimarra nga forcat ruse në afërsi të kryeqytetit, Kiev.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Moskën për “gjenocid” pas zbulimit të trupave të civilëve në Buça, ndërkaq ka thënë se rrethimi i qytetit-port të Maripolit është “krim kundër njerëzimit”.
Në këtë artikull do të mund të mësoni për kategoritë e ndryshme të krimeve më të rënda që njeh njerëzimi, për ndjekjen penale të të cilave është krijuar Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
As Rusia dhe as Ukraina nuk janë pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por Ukraina ka pranuar juridiksionin e kësaj gjykate për krimet e dyshuara të kryera në territorin e saj që nga pushtimi rus i Krimesë.
Kryeprokurori i ICC-së më 3 mars hapi një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë.
Çfarë janë krimet e luftës?
Krimet e luftës janë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar kundër civilëve dhe luftëtarëve gjatë një konflikti të armatosur.
Parametrat se çfarë përbën një krim të tillë janë të përcaktuara në nenin 8 të Statutit të Romës të vitit 1998, që e ka krijuar ICC-ja.
Krimet e luftës në këtë nen përcaktohen si “shkelje të rënda” të Konvetave të Gjenevës të vitit 1949, që mbulojnë më shumë se 50 skenarë, përfshirë vrasjen, torturën, përdhunimin dhe pengmarrjen, si dhe sulmet ndaj misioneve humanitare.
Po ashtu aty përfshihen edhe sulmet e qëllimshme ndaj civilëve ose “qyteteve, fshatrave, banesave ose ndërtesave që janë të pambrojtura dhe që nuk janë caqe ushtarake” si dhe “dëbimi ose transferimi i të gjitha ose pjesëve të popullsisë” të një territori të pushtuar.
Çfarë është krimi kundër njerëzimit?
Nocioni i një krimi të tillë është parashtruar për herë të parë më 8 gusht të vitit 1945 dhe është kodifikuar në nenin 7 të Statutit të Romës. Ai përfshin “një sulm të përhapur ose sistematik kundër çdo popullsie civile” përfshirë “vrasjen” ose “shfarosjen” si dhe “robërimin” dhe “dëbimin” ose “transferimin me forcë”.
Krimet kundër njerëzimit mund të ndodhin edhe në kohë paqeje dhe përfshijnë edhe torturën, përdhunimin dhe diskriminimin, qoftë racor, etnik, kulturor, fetar apo diskriminimin mbi baza gjinore.
Çfarë është gjenocidi?
Gjenocidi si koncept ligjor daton që nga gjyqet e Nurembergut të kriminelëve të luftës të nazistëve. Ishte avokati polak, me prejardhje hebreje, Raphael Lemkin që shpiku këtë term për të përshkruar shfarosjen e 6 milionë hebrenjve nga nazistët.
Krimi i gjenocidit zyrtarisht u krijua në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, për të përshkruar “aktet e kryera me qëllim për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.
Gjenocidi është një “krim ndërkombëtar shumë specifik” i cili është i vështirë për t’u dëshmuar, tha Cecily Rose, profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Leiden në Holandë, duke theksuar se ky krim kërkon prova se pas tij ka “motive mendore”.
Një krim i ri: krimi i agresionit
ICC-ja e ka shtuar krimin e agresionit në kompetencën e saj më 2017. Ky krim përfshin sulmet ndaj “sovraniteti, integritetit territorial ose pavarësisë politike” të një shteti tjetër.
Kjo vepër ka për qëllim të sigurojë se udhëheqësit politikë dhe ushtarakë do të mbahen përgjegjës për pushtimet dhe sulmet e tjera të mëdha, por një vepër e tillë nuk mund të përdoret kundër dhjetëra anëtarëve të ICC-së, të cilët nuk e kanë njohur juridiksionin e gjykatës për krimin e agresionit.
ICC-ja po ashtu nuk mund të padisë për krim të agresonit liderin e ndonjë shteti që nuk është anëtar i kësaj gjykate.
Ekspertët ligjorë thonë se ngritja e një çështjeje të tillë kundër Rusisë mund të kërkojë që të ngrihet një gjykatë speciale./REL