Ilir Daja konfirmohet një ekspert i ndeshjeve evropiane, teksa pasi siguroi grupet e Europa Leagues me Skënderbeun, është shumë pranë përsëritjes së të njëjtit sukses edhe me Ballkanin, pasi ka fituar ndeshjen e parë të Play Off-it ndaj Shkupit.
Pas ndeshjes në “Tose Proeski”, trajneri nga Tirana u ndal për mikrofonin e DigitAlb, ku analizoi takimin dhe u shpreh se skuadra do të duhet të bëjë një tjetër 90-minutësh me pjekuri, për të siguruar kualifikimin.
Sa i kënaqur jeni për këtë fitore dhe sa e rëndësishme do të jetë për kualifikimin?
Ishte një ndeshje që do të vendosej nga episodet dhe ishim përgatitur për këtë ndaj më vjen mirë që sot morëm një rezultat pozitiv. Ne do të luajmë shanset tona për të shkuar në fazën e grupeve, por nuk jemi favoritë as pas kësaj fitoreje. Ishim përgatitur që ta prisnim Shkupin, që e njeh më mirë këtë terren dhe ka cilësi për të bërë diferencën, ndaj lojtarët e interpretuan mirë ndeshjen.
Sa shanse ka Ballkani të shkojë në grupet e Conference League?
Çdo trajner ka dëshirë të kalojë në grupe. Unë kam luajtur edhe në Play Off të Europa League, por ne duhet të bëjmë maksimumin përballë një Shkupi që sot na vuri shumë në vështirësi. Nëse duam ta bëjmë atë hapin e madh, duhet që të ruajmë këtë mënyrë loje edhe në javën e ardhshme. Megjithatë më parë kemi kampionatin të dielën dhe pastaj do të mendojmë për ndeshjen e kthimit.
A mbetet loja në ajër e kundërshtarit, një nga momentet që Ballkani e vuan jo pak?
Është një vërejtje me vend, pasi ne ndëshkohemi shpesh në goditjet standarde. Megjithatë duke mos pasur Rustem Hoxhën dhe Sinanin, u penalizuam disi, pasi janë pikat tona të forta në lojën në ajër.
A zgjidhet ky problem në merkato?
Ne kemi bërë merkaton më të mirë në Kosovë, pasi kemi mbajtur grupin fitues, por natyrshëm që na duhet të përforcohemi dhe lojtarin që do të zgjedhim, duhet ta gjejmë shtatlartë që të na ndihmojë edhe në lojën në ajër.