Cristiano Ronaldo pranoi milionat nga Arabia Saudite dhe firmosi për dy vite me Al-Nassr. Sulmuesi portugez do të përfitojë rreth 200 milionë euro në sezon, ndërkohë që në akordin e arritur me drejtuesit e klubit të ri ka përfshirë edhe një klauzolë interesante.
37-vjeçari shpresoi deri në fund për një rikthim në “Santiago Bernabeu” te Reali i Madridit, klub ku shkroi historinë dhe u kthye në legjendë, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Gjithsesi ekziston një mënyrë që CR7 të rikthehet në futbollin europian dhe Champions League, kompeticionin e tij të preferuar. Marca raporton se në akordin me Al-Nassr është përfshirë mundësia e transferimit te Newcastle.
Klubi anglez zotërohet nga Fondi Shtetëror i Investimeve të Arabisë Saudite, me Ronaldon që do e priste me kënaqësi rikthimin në ishull, por gjithmonë nëse Newcastle ia del të kualifikohet në Champions League.
Skuadra e Eddie Howe po bën shumë mirë në Premier League dhe pas javës së 17-të numëron 34 pikë duke u renditur si forcë e tretë në kampionat. Tifozët shpresojnë që Newcastle të vijojë kështu deri në fund. Të njëjtë gjë shpreson edhe golashënuesi më i mirë në histori.