Faturat e energjisë në Britaninë e Madhe pritet të rriten me 80% dhe deri në mbi 4 mijë dollarë në vit. Sipas ekspertëve dhe mediave angleze kjo rrezikon të zhysë miliona familje në varfëri si dhe të vendosë në rrezik bizneset, nëse qeveria nuk merr masa.
Shefi ekzekutiv i Ofgem, Jonathan Brearley tha se rritja do të kishte një ndikim masiv në të gjitha familjet në Britaninë. Sipas tij, pritet edhe një rritje tjetër e mundshme në muajin janar pasi lëvizja e Rusisë për të frenuar furnizimet evropiane i çon çmimet e gazit me shumicë në nivele rekord.
“Kjo është një katastrofë,” tha kreu i të drejtave të konsumatorëve në Britani, Martin Lewis, duke paralajmëruar se njerëzit do të vdisnin nëse refuzonin të gatuanin ushqim ose të ngrohnin shtëpitë e tyre këtë dimër.
Brearley tha se “përgjigja e qeverisë duhet të përputhej me shkallën e krizës, të jetë urgjente dhe vendimtare”.
Kryeministri Boris Johnson, të cilit i kanë mbetur më pak se dy javë në detyrë, tha se pasardhësi i tij do të shpallë fondin për para shtesë në mënyrë që të mbrohen të rrezikuarit Partia Laburiste tha se vendi nuk mund të presë më, transmeton Reuters.
“Kjo është një emergjencë kombëtare,” tha zëdhënësja e financave Rachel Reeves. Truss dhe Sunak kanë sugjeruar pezullimin e taksave mjedisore ose uljen e një takse mbi shitjet – të dyja idetë e hedhura poshtë nga analistët si shumë pak për të zbutur goditjen e madhe në buxhetet e familjeve.