Trajneri Antonio Conte në këtë sezon synon të arrijë tek trofetë me skuadrën e Tottenham. Tekniku italian e ka nisur mirë kampionatin, aty ku pas gjashtë ndeshjeve të para ka grumbulluar 14 pikë ndërsa ende nuk e njeh humbjen.
Megjithatë, impenjimet sa vijnë dhe shtohen dhe në konferencën para ndeshjes së Champions League të mërkurën në shtëpi ndaj Marseille, tekniku Conte është ankuar për kalendarin e ngjeshur me ekipin e tij që do të luajë tre ndeshje në harkun e shtatë ditëve, pëfshirë edhe përballjen me Manchester City.
“Të them të drejtën është një çmenduri sa herë që shoh kalendarin. Kemi luajtur tre ndeshje në gjashtë ditë, tani po luajmë sërish pas katër ditëve dhe do të nisim një tur force ndaj Marseille, City dhe Sporting Lisbonës.
Këto ndeshje janë në harkun e shtatë ditëve dhe mendoj se një kalendar kaq të ngjeshur e shoh për herë të parë në karrierën time. Në krahasim me ekipet e tjera, Tottenham më duket i penalizuar, jemi të pafat. Një ditë më shumë apo më pak mund të ndryshojë tërësisht jetën”, u shpreh Conte.