Shkup, 1 dhjetor – Kompanitë për prodhimin e mishit të pulës kanë ulur çmimet për 5% për rreth 50 produkte, pohojnë nga Oda Ekonomike. Ulje ka dhe te prodhimet e mishit të derrit. Nuk ka ulje të çmimit të mishit të viçit. Për të pasur ulje më të madhe të çmimeve, përfaqësuesit e industrisë së mishit kërkuan nga Qeveria që fillimisht ta heqë doganën për importin e lëndëve të para nga jashtë. Nëse vendoset një masë e tillë, ata thonë se do t’i ulin çmimet e produkteve të tyre deri në 15 për qind. Për katër vite nuk ka pasur tatimim, por ato përsëri janë rifutur në qershor të këtij viti.
“Produktet e gatshme nga konkurrenca, nga importi, hyjnë në vend pa kurrfarë shpenzimesh, pa doganë ndërsa ne paguajmë nga 19 deri në 35 për qind për lëndën e parë të importuar. Me fjalë të tjera, nuk kërkojmë subvencione, por kërkojmë barazimin e kushteve të biznesit në të njëjtën mënyrë si me prodhuesit e huaj”, tha Goce Trajçev – Oda Ekonomike.
Një pjesë e kompanive që kishin instaluar fotovoltaikë në objektet e tyre prodhuese, fillimisht janë refuzuar për masën e shfrytëzimit të energjisë elektrike të subvencionuar, me arsyetim se duhet rregulluar teprica e energjisë elektrike që e lëshojnë në sistem. Megjithatë, EMV-ja konfirmoi sot se problemi është zgjidhur.
“Në përputhje me rregullat e furnizimit, është vendosur që përveç kontratës për furnizim, pesë kompanitë me “EMV Shitje” të nënshkruajnë edhe kontratë për blerjen e kilovatëve të energjisë elektrike që prodhojnë vetë, të cilët nuk do t’i përdorin dhe do t’i kthejnë në rrjet”, njoftojnë nga EMV Shitje.
Nga sot e deri më 30 prill të vitit të ardhshëm, mbi 200 kompani do të përdorin energjinë elektrike të subvencionuar me çmim prej 80 euro për megavat orë. Kërkesa kryesore e Qeverisë ishte që këto kompani ta ulin çmimin e produkteve të tyre për të paktën 10 për qind.
Megjithatë, kjo përqindje nuk është as afër arritjes tani për tani, kështu që shumica e ushqimeve shiten me të njëjtin çmim, përkatësisht të lartë./Alsat.mk
Burimi: zhurnal.mk