Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se ka mundësi që çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël të jetë më i lirë nga 1 janari.
“Çmimi i ofruar nuk do të jetë goditje për qytetarët. Çmimi përfundimtar, i cili përbëhet nga tre parametra të çmimeve që përcaktohen përfundimisht nga Komisioni Rregullator i Energjisë, siguron që qytetarët të mos goditen me çmimin e ri, sipas përllogaritjeve fillestare, madje mundësohet ulja e çmimit të rrymës për konsumatorët e vegjël, përkatësisht kompanitë që punësojnë 98 për qind të të punësuarve në shtet”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ai tha se për të shmangur goditjen e çmimeve shteti ka burime të caktuara financiare në buxhet, si për vitin 2022 ashtu edhe për vitin 2023.
“Unë dhe ministri i Financave në mënyrë shumë transparente informuam në një konferencë për shtyp për buxhetin se tashmë kemi vendosur një zë në buxhet prej 250 milionë euro për të përballuar krizën ekonomike dhe energjetike”, deklaroi kryeministri.