Microsoft ka rritur ndjeshëm çmimet e konsolës së saj Xbox, duke cituar rritjen e kostove të zhvillimit dhe atë që e quajti “kushtet e tregut”, sipas BBC News.
Rritjet e çmimeve ndryshojnë nga vendi në vend, me konsolat Xbox Series S që janë rritur për 80 euro në Evropë.
SHBA ka parë rritje të çmimeve më të mëdha, me Xbox Series X që është rritur për 100-130 dollarë, në varësi të modelit.
Kjo vjen ndërsa tarifat amerikane – të cilat ekspertët parashikojnë se do të rrisin çmimet për konsumatorët – shkaktojnë pasiguri ekonomike globale. Megjithatë, Microsoft nuk ka thënë shprehimisht se tarifat ishin shkaku i rritjes.
Çmimet e Xbox po rriten gjithashtu në shtete të tjera rreth botës, me Series S që rritet për 50 paund në Mbretëri të bashkuar dhe për 50 dollarë në Australi.
Kjo shënon një ndryshim të madh në një industri në të cilën çmimet zakonisht bien gjatë viteve pas lançimit të një konsole.
“Ne e kuptojmë që këto ndryshime janë sfiduese”, tha Microsoft në një postim në blog.
“Ato u bënë pas një shqyrtimi të kujdesshëm, duke marrë parasysh kushtet e tregut dhe rritjen e kostove të zhvillimit”, shtoi ai.
Kedhrin Gonzalez, themelues i Rip & Tear Studios, i tha BBC-së se ai e konsideronte rritjen e çmimeve si “të pashmangshme” dhe “të katalizuara nga shpërthimet e tanishme të tarifave”.
“Game-erat do të vuajnë më shumë, me pak shpresë që çmimet të ulen”, tha ai.
“Kjo mund të ndikojë ndjeshëm në shitjet tashmë të vogla të Xbox dhe mund të shkaktojë pasoja më të gjera në industri. Ndoshta nuk do të jetë e fundit e rritjes së çmimeve që do të shohim”.
Edhe Christopher Dring, që shkruan për industrinë e lojërave në newsletter-in The Game Business, i tha BBC-së se tarifat ishin “sigurisht” pjesë e vendimit për të rritur çmimet.
“Me aksesorët dhe komponentët që prodhohen në Kinë, ndërlidhja është e qartë”, tha ai.
Por ai tha se bëhet fjalë edhe për faktorë të tjerë, si inflacioni, ndryshimet në kursin e këmbimit dhe “rritja e përgjithshme e kostos së biznesit”.
“Të gjitha këto janë duke shkaktuar kaos në një industri që po sheh rritje të kufizuar”, tha ai.
“Sektori i konsolave ka pak rritje në numrin e përdoruesve që nga vitet 2000, por kostot e prodhimit dhe zhvillimit të lojërave vazhdojnë të rriten eksponencialisht”.
“Çdo rritje e çmimeve, qoftë një tarifë e vogël, mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në fitimprurshmërinë e këtyre pajisjeve”.
Burimi: botasot.info