Çmimet e larta, SHBA kërkon që shtetet e Gjirit Persik të rrisin furnizimet me naftë

Pasojat e agresionit rus në Ukrainë vazhdojnë të trondisin tregjet globale të energjisë, duke ndëshkuar të gjithë ata që mbështeten tek lëndët djegëse fosile. Këto zhvillime vijnë disa ditë pasi Presidenti amerikan Joe Biden ndaloi importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit nga Rusia.

Kryeministri britanik Boris Johnson vendosi gjithashtu të ndalojë importin e naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Bashkimi Evropian siguron nga Rusia rreth 40% të gazit të saj natyror dhe rreth 25% të naftës, që konsumon. 27 udhëheqësit e BE-së ranë dakord që t’i japin fund me kujdes varësinë nga energjia ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi SHBA-në dhe Evropën për rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit dhe tha se tani ata janë të dëshpëruar për të kontaktuar me vendet kryesore prodhuese të naftës, ndaj të cilëve kishin vendosur më parë sanksione.

“Ata tashmë po përpiqen me çdo kusht të arrijnë një marrëveshje me vendet kundër të cilave ata vetë kanë vendosur kufizime të paligjshme. Dhe ata janë të gatshëm të bëjnë paqe me Iranin dhe të nënshkruajnë menjëherë të gjitha dokumentet, po kështu edhe me Venezuelën”, ka thënë presidenti rus.

Me rritjen e çmimeve të gazit, Presidenti Biden kontaktoi Arabinë Saudite sipas disa njoftimeve, por Princi i Kurorës Mohammed bin Salman nuk e ka pranuar të bisedojë me të.

Zoti Biden foli me mbretin saudit Salman, më 9 shkurt.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe princit të kurorës janë tensionuar që nga vrasja brutale e gazetarit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Por Sekretari i Shtetit, Antony Blinken hodhi poshtë këto zëra dhe tha se ka lajme inkurajuese për prodhimin e naftës nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Sipas një njoftimi të pak kohëve më parë, nuk jam i sigurt nëse është bërë ende publik, Emiratet e kanë mbështetur rritjen e prodhimit që mendoj se është një gjë e rëndësishme për të stabilizuar tregjet globale të energjisë e që të sigurohet një furnizim i bollshëm me energji në mbarë botën”, tha ai.

Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se mes presidentit Biden dhe princit të kurorës, ka tensione, por zyrtarët e administratës amerikane kanë zhvilluar bisedime në prapaskenë në Riad.

“Mendoj se shqetësimi kryesor është se në një kohë kur çmimet e gazit janë kaq të larta dhe ne po kërkojmë të kemi një bashkëpunim me vendet e tjera, duke përfshirë partnerë të ngushtë që përfitojnë nga bashkëpunimi dhe ndihma jonë për sigurinë, ne do të shpresonim se ata do të bënin më shumë për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara”, thotë Brian Katulis, nga Instituti i Lindjes së Mesme.

Sipas ekspertit Katulis ekziston një rrezik për Arabinë Saudite nëse refuzon të ndihmojë në uljen e çmimeve të gazit.

“Do të ketë probleme politike me SHBA, si me republikanët ashtu edhe nga demokratët. Konsumatorët nuk duan të paguajnë çmim të lartë, ata do të kërkojnë dikë për të fajësuar. Dhe unë mendoj se një vend si Arabia Saudite, që është fajësuar më parë për shkak të embargos ndaj OPEC-ut në vitet 1970, mund të fajësohet lehtësisht përsëri”, thotë ai.

Zyrtarët e administratës Biden kanë zhvilluar gjithashtu bisedime me Venezuelën këtë muaj dhe shpresojnë për një përparim në bisedimet bërthamore të Iranit në Vjenë, të cilat përfundimisht mund të bëjnë të mundur që nafta iraniane të jetë përsëri në tregun global.

Por bisedimet janë ndërprerë për shkak të kërkesave të reja ruse për qasje të pakufizuar tregtare me Iranin./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Einxhel dhe Semi qenkan bërë shoqe të ngushta

Story i radhës

Ahmeti: Rajoni nuk është objektiv i zhvillimeve në Ukrainë

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish