Rritjet e çmimeve në SHBA u rriten me më shumë se sa pritej muajin e kaluar, duke e shtyrë inflacionin vjetor në 7.5% – norma më e lartë që nga viti 1982.
Kështu, rritja e çmimeve po godet financat e familjeve pasi pagat nuk arrijnë të mbajnë ritmin, shkruan BBC.
Dhe Uashingtoni është nën presion për të adresuar çështjen, me bankën qendrore të SHBA që pritet të rrisë normat e interesit.
Në SHBA, shpenzimet konsumatore qëndruan të mira për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pavarësisht rritjes së shpejtë të çmimeve, të cilat analistët thonë se janë shkaktuar nga një përzierje e kërkesës së fuqishme, shpenzimeve qeveritare, pengesave të zinxhirit të furnizimit dhe rritjes së pagave pas mungesës së fuqisë punëtore.
Amazon, Netflix dhe Procter & Gamble janë ndër firmat e shumta që kanë njoftuar rritje të çmimeve muajt e fundit, duke përmendur kostot më të larta. Ata kanë thënë se presin që shumica e familjeve të absorbojnë rritjet.
Por çështja është gjithnjë e më shumë një çështje kyçe për votuesit, duke dëmtuar popullaritetin e presidentit Joe Biden pavarësisht rritjes së fortë ekonomike vitin e kaluar.
Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.6% në janar, tha Departamenti i Punës i SHBA.
Indeksi i qirasë u rrit me 0.4%, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 1%, nxitur nga rritja e kostos së produkteve të bukës dhe drithërave.
Detra Thomas, një asistente 60-vjeçare e burimeve njerëzore që jeton në Nju Jork, thotë se kohët e fundit ajo ndaloi blerjet në supermarket, duke zgjedhur të porosiste me shumicë në internet ose të vizitonte shitësit ambulantë me shpresën për të gjetur çmime më të ulëta