Autoritetei i Konkurrencës njofton se ka vendosur nën hetim paraprak tregjet e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarkun e Tiranës, Elbasanit, Beratit, Fierit dhe Korçës.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës ka dyshime se ndërmarrjet që operojnë në tregun me shumicë mund të kenë marrëveshje mes tyre për të fiksuar çmimet.
Në njoftim theksohet se hetimi paraprak do të shohë nëse kemi të bëjmë me një sjellje anti-konkurruese nga këto biznese, ku diferencat e çmimit janë tepër të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesi tek konsumatori.
“Komisioni i Konkurrencës, pas përfundimit të procedurës së monitorimit në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta perimeve mori në shqyrtim në mbledhjen e datës 14.06.2024 propozimin e sekretariatit të konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg për qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë. Referuar strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1085, datë 14.06.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, për të parë nëse ka, ose jo, shkelje të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.