Bashkimi Demokratik për Integrim në
Mbledhjen e Përgjithshme në Gostivar vendosi:
Preambula
Duke qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë historike dhe politike të Marrëveshjes së Ohrit (MO) si një mekanizëm thelbësor për ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe harmonisë ndëretnike në Maqedoninë e Veriut;
Duke qenë të vetëdijshëm se MO solli demokracinë konsociative, e cila ka krijuar një kornizë institucionale që garanton përfaqësim të drejtë dhe të barabartë për të gjitha komunitetet etnike, duke siguruar që vendimet të merren në bazë të konsensusit dhe duke promovuar bashkëjetesën harmonike;
Duke theksuar se esenca e Marrëveshjes së Ohrit është të parandalojë sundimin e shumicës (majorizimin) dhe të sigurojë që të gjitha komunitetet etnike të kenë një zë të barabartë në qeverisje, duke promovuar kështu një demokraci të vërtetë multietnike dhe konsensuale;
Duke theksuar se parimi i shumicës së dyfishtë (Badenter), i cili qëndron në thelb të MO-së, është një element kyç që garanton vendimmarrje të drejtë dhe të barabartë, duke kërkuar që vendimet të miratohen me shumicën e votave të të dy komuniteteve kryesore, maqedonas dhe shqiptar, duke siguruar kështu një legjitimitet të dyfishtë në vendimmarrje;
Duke ndjekur me shqetësim përpjekjet për të poshtëruar dhe margjinalizuar komunitetin shqiptar me injorimin e vullnetit të tyre në procesin vendimmarrës;
Duke ndjekur me shqetësim pozicionin poshtërues të të ashtuquajturve përfaqësues shqiptarë në qeveri të cilët kanë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme arritjet e MO-së;
Duke riafirmuar përkushtimin tonë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm në ndërtimin e një shteti dhe shoqërie të drejtë dhe të barabartë;
Ne, anëtarët e organeve drejtuese të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të mbledhur në këtë Mbledhje të Përgjithshme, miratojmë këto tri rezoluta:
Rezoluta 1: LEGJITIMITETI
Ne, Anëtarët e Mbledhjes së Përgjithshme të Bashkimit Demokratik për Integrim:
Bazuar në zhvillimet politike me rastin e formimit të shumicës qeverisëse, të cilat manifestuan mospërfillje të vullnetit të sovranit shqiptar
Konstatojmë gjendjen shqetësuese, të krijuar për shkak të mos respektimit të vullnetit politik të shqiptarëve si komuniteti i dytë më i madh në vend.
Prandaj, vlerësojnë se vendosja e praktikave të këtilla minon të arriturat për liri e barazi, në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit;
Vlerësojmë se është koha për ta adresuar shqetësimin e bazuar në majorizimin e forcës më të madhe politike shqiptare në vend dhe pjesëmarrjen në Qeveri të një koalicioni shqiptar i cili nuk e manifeston vullnetin e shumicës shqiptare;
Nënvizojmë se mospërfillja e vullnetit politik të shqiptarëve largon vendin dhe bashkëjetesën ndëretnike si vlerë e shoqërisë sonë nga normat e vendosura në pajtim me MO-në dhe atakon parimin e shumicës së dyfishtë që buron nga MO-ja, ky parim nuk është vetëm një instrument formal ligjor, por paraqet një instrument garantues për pjesëmarrje të drejtë në qeverisje duke siguruar që të dy komunitetet kryesore në RMV të qeverisin duke u mbështetur në vullnetin e shprehur në zgjedhje e jo në arbitraritet e majorizim!
Vlerësojmë se bashkëpunimi, tolerance dhe harmonia ndëretnike mbeten vlera për të cilat duhet të angazhohen të gjithë aktorët politik, pa përjashtim e pa dallim nga përkatësia e tyre etnike e ideologjike, gjithmonë duke pasur parasysh edhe faktin se garantues të MO-së kanë qenë aktorë relevantë nga komuniteti ndërkombëtar – Bashkimi Evropian dhe ShBA-të duke luajtur një rol kyç në arrtijen e kohezionit ndëretnik, prej momentit të nënshkrimit të MO-së e deri më sot;
Konstatojmë se legjitimiteti buron nga populli dhe vetëm popullit, respektivisht sovranit, i takon të zgjedhë përfaqësuesit e vet në Qeveri dhe çdo praktikë apo shembull ndryshe shpien dhe dikton praktika në të cilat populli, sovrani, ndjehet i mospërfillur dhe i anashkaluar nga pushteti, pavarësisht shprehjes së vullnetit politik nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje në ditën e votimit;
Nënvizojmë se shqiptarët duhet të vazhdojnë praktikën e daljes në zgjedhje, organizimit nëpër parti të tyre politike me qëllim të zgjedhjes së pëfaqësuesve të tyre drejtpërdrejtë nga vetë ata e jo nga partia fituese në kampusin politik maqedonas;
Konfirmojmë se legjitimiteti nënkupton dakordësinë e popullit me formimin dhe funksionimin e organeve shtetërore; legjitimiteti ka lidhje të ngushta me parimet e drejtësisë dhe është hallkë e rëndësishme për jetë të përbashkët brenda shtetit;
Në kuptimin më të gjerë të fjalës, legjitimiteti ka për qëllim vendosjen e sistemit juridik funksional dhe të harmonizuar, me respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit si dhe me respektim të kompetencave të organeve shtetërore. Rrjedhimisht, legjitimiteti është inkompatibil me anarkinë, pasigurinë dhe arbitraritetin e organeve shtetërore ose të individëve të caktuar.
Shprehim shqetësimin tone se mosrespektimi i legjitimitetit të shqiptarëve do të zbehë deri në zhbërje nevojën e organizimit politik të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke na kthyer prapa në situata të cilat historia i ka shënuar si periudha të nëpërkëmbjes së të drejtave të shqiptarëve.
Prandaj, çdo tendencë për kthim prapa do të jetë e papranueshme dhe e kundërshtuar nga ana jonë;
Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare që garantuan paqen duke përkrahur Marrëveshjen e Ohrit dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston vullnetin politik të shqiptarëve në RMV dhe si i tillë e shndërron Qeverinë në një Qeveri pa legjitimitet etnik;
Konsiderojmë se në vendet demokratike pushteti mund të merret në disa mënyra, por autoriteti i pushtetit mund të sigurohet vetëm nga populli, në zgjedhje.
Ritheksojmë se vullneti i shqiptarëve i shprehur në zgjedhjet e funndit nuk është përfillur dhe kjo mospërfillje ka tendencë për shkatërrimin e konceptit të barazisë së krijuar ndër vite;
Kjo mospërfillje ka tendencë të asgjësimit të vullnetit politik dhe partive politike shqiptare;
Kjo mospërfillje mund të ketë impakt të padëshiruar ndaj përpjekjeve dhe të arriturave të deritanishme në raportet ndëretnike, gjithmonë në pajtim me MO-në dhe garantuesit kryesorë të saj dhe,
Kjo mospërfillje ngjason me praktikat jodemokratike të zbatuara gjatë regjimeve të kaluara në ish-Jugosllavi në të cilat përfaqësuesit e popullit në organet shtetërore zgjidheshin në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit!
Rezoluta 2: Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire, së bashku me ndryshimet kushtetuese:
Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e thellë që kanë marrëveshjet për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe për integrimin e Maqedonisë së Veriut,
Duke njohur rolin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në ndërtimin e një demokracie multietnike dhe konsensuale,
Duke theksuar rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila mundësoi zgjidhjen e çështjes së emrit dhe hapi rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian;
Duke vlerësuar Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, e cila promovon marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellël, si dhe hap rrugën drejtë anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian,
Ne, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të mbledhur në këtë Mbledhje të Përgjithshme, miratojmë këtë
Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire së bashku me ndryshimet kushtetuese:
Theksojmë rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit (MO) si bazë për ndërtimin e paqes dhe harmonisë ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar që të gjitha komunitetet etnike të kenë zë të barabartë në qeverisje dhe vendimmarrje.
Theksojmë rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, duke siguruar stabilitet dhe perspektivë euroatlantike për vendin tonë.
Vlerësojmë Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke promovuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë dhe perspektivën europiane të vendit
Ritheksojmë nevojën për respektim të ndryshimeve kushtetuese pas Marrëveshjes së Prespës dhe nevojën për vazhdim të procedurës për ndryshimet kushtetuese me qëllim të hapjes së kapitujve me Bashkimin Europian për anëtarësim të plotë të RMV-së në BE.
Nënvizojmë rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pandërprerë të Marrëveshjes së Ohrit, duke siguruar që parimet e saj të jenë udhërrëfyes në ndërtimin e një shteti dhe të një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Nënvizojmë nevojën për zbatim të plotë të Marrëveshjes së Prespës së bashku me ndryshimet kushtetuese, duke respektuar dhe përmbushur të gjitha detyrimet e marra përsipër, për të siguruar stabilitetin rajonal dhe integrimin euroatlantik të vendit.
Angazhohemi për të zbatuar Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, duke ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme me Bullgarinë, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e frytshëm.
Kërkojmë që institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut të angazhohen për zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të këtyre tri marrëveshjeve ndërkombëtare, duke siguruar që ato të përmbushen në mënyrë të plotë dhe efektive, së bashku me ndryshimet kushtetuese;
I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve relevante të mbështesin Maqedoninë e Veriut në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, duke ofruar asistencë dhe mbikëqyrje të nevojshme për të siguruar përmbushjen e tyre.
Angazhohemi për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të promovuar dhe mbështetur zbatimin e këtyre marrëveshjeve, duke siguruar që përfitimet e tyre të jenë konkrete për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Andaj,
Sot, miratojmë këtë Rezolutë, në këtë mbledhje historike të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke
Riafirmuar përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë së bashku me ndryshimet kushtetuese, për të siguruar paqe, stabilitet dhe integrim ndërkombëtar për Maqedoninë e Veriut.
Rezoluta 3: REZOLUTË MBI ORGANIZATËN TONË POLITIKE
Mbledhja e Përgjithshme e Bashkimit Demokratik për Integrim e të gjitha niveleve strukturore të organizatës sonë politike – Këshillat Vendorë të çdo dege, anëtarët e kryesive të çdo Këshilli Vendor, duke vazhduar me Degët, Forumin Rinor dhe të gjithë përfaqësuesit e të gjitha organeve në nivel qëndror, në frymën e Deklaratës Themeluese të Bashkimit Demokratik për Integrim të 5 qershorit të vitit 2002, Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të udhëhequr nga vizioni dhe idealet e Rilindësve shqiptarë dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare:
Konfirmon si të drejtë rrugën tonë të deritanishme politike në drejtim të përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve, duke u konfirmuar përsëri nga sovrani si forca kryesore politike, kësaj radhe për herë të parë si forca e dytë politike, bashkë me aleatët, në mbarë Republikën e Maqedonisë së Veriut, me legjitimitet të plotë dhe me mbështetje absolute,
Rikonfirmon përgjegjësinë dhe privilegjin e Bashkimit Demokratik për Integrim që të përfaqësojë komunitetin e dytë më të madh në vend për çështjet me interes për qytetarët, duke filluar nga çështjet jetike strategjike e të paalternativë, siç është anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Europian dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve dhe përgjegjësive si anëtar fuqiplotë dhe i barabartë i NATO-s, e deri në kultivimin dhe garantimin e vlerave thelbësore, siç janë: liria, demokracia, barazia, paqa, siguria, stabiliteti dhe drejtësia që përbëjnë bazamentin e një shoqërie demokratike progresive,
Vlerëson se Bashkimi Demokratik për Integrim është forca politike më e angazhuar në drejtim të ruajtjes së kursit euro-atlantik dhe europian të vendit, që kultivon vlera dhe qëndrime konzistente në interes të perspektivës më të mirë të të gjithë qytetarëve dhe vendit,
Nënvizon se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është produkt i përçarjeve, fraksioneve dhe derivat i organizimeve klanore, grupore e të interesave, por është thellësisht i mishëruar në sakrificën e popullit dhe rrjedhojë e lëvizjeve patriotike, kryengritëse dhe çlirimtare ndër dekada që u angazhua dhe siguroi lirinë, demokracinë dhe realizimin e interesave strategjike të vendit, duke e integruar shtetin aty edhe ku natyrshëm e ka vendin, krah për krah me demokracitë perëndimore, në NATO, si dhe me arritjen e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian,
Thekson se vizioni ynë si subjekt politik është dhe mbetet barazia e plotë e të gjitha bashkësive etnike, respektivisht e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke respektuar dinjitetin, integritetin dhe identitetin etnik, si dhe duke u angazhuar për arritjen e standardeve më të larta për sigurimin e një jete të denjë dhe cilësore, karakteristike për një pjesëtar të familjes europiane,
Konstaton se në ndryshimet e ardhshme statutore, si kategori statutare, krijohet organit i ri partiak – Mbledhja e Përgjithshme e Bashkimit Demokratik për Integrim, organ i cili do të konvokohet në situata dhe për tema të jashtëzakonshme,
Konsideron se në ndryshimet e ardhshme statutore, po ashtu, është e rekomandueshme të parashihet vijimi i modernizimit të organeve partiake, duke marrë në konsideratë: praktikat më të mira të organizimit politik perëndimor, specifikat, traditën dhe trashëgiminë tonë të pasur partiake, si dhe implementimin e teknologjive të reja (digjitalizimi i mëtejmë),
Rikonfirmon se zgjedhjet brendapartiake kontribuojnë në rritjen e cilësisë së strukturës dhe sjellinprurje të reja në organizatën tonë politike, me ç’rast mbetemi të fokusuar në rininë si prioritet i veprimtarisë vijuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i dhënë përparësi veçanërisht në aspekt të krijimit dhe implementimit të politikave të organizatës sonë politike,
Vlerëson se vazhdimi i kultivimit të debatit, ashtu siç ka qenë karakteristikë deri më sot, është i shëndetshëm për demokracinë brendapartiake dhe progresin e mëtejshëm, duke inkurajuar kultivimin e debatit edhe në nivele të tjera të strukturës partiake: në Degë dhe Këshilla Vendorë, në varësi të çështje me të cilat përballen,
Konstaton se të gjitha organet e të gjitha niveleve të subjektit tonë politik, veçanërisht Degët dhe Këshillat Vendorë, luajnë rol kruacial në organizimin brendapartiak dhe sigurimin e fitoreve zgjedhore, që kulmoi edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare kur për herë të parë Bashkimi Demokratik për Integrim doli forca e dytë politike në vend (bashkë me aleatët),
Rikonfirmon se Forumi Rinor përbën një shtyllë të fuqishme partiake dhe burim energjie për mbarë organizatën, me ç’rast, përpos hapsirës së nevojshme në krijim të politikave partiake dhe institucionale, si dhe mbështetjes së vazhdueshme, në ndryshimet e ardhshme statutore vlerësojmë që të parashihet modernizimi dhe digjitalizimi i proceseve brenda Forumit Rinor,
Riafirmon vazhdimin e praktikimit të parimit të llogaridhënies dhe raportimit të rregullt përpara qytetarëve, votuesve dhe organeve partiake për veprimtarinë, punën dhe rezultatet e arritura,Thekson se ne, anëtarët e organizatës sonë politike, duhet të kultivojmë në vazhdimësi vlerat e aktivizmit partiak, profesionalizmit, solidaritetit dhe kolegjialitetit në veprimtarinë tonë partiake.