Departamentit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës i është shtuar edhe lënda ‘çrregullimi informativ në epokën post të vërtetës’.
Profesori në departamentin e gazetarisë në UP, Alban Zeneli ka thënë se këtë e kanë bërë me qëllim përgatitjen e studentëve rreth luftimit të dezinformimit.
Ai në panelin ku u diskutua rreth të gjeturave të raportit “Vorbulla e Rrenave”, tha se kjo lëndë ka për qëllim ngritjen e shkathtësive të studentëve.
“Ata që nga viti i parë mësohen me idenë e raportimit të të vertetës për të vazhduar me ndarjen në mes të mediave dhe jo mediave. Medoj që ndarjen duhet ta bëjmë mes gazetarëve dhe jo gazetarëve sepse gazetari e ka mision raportimin e të vërtetës dhe ai që kalon nga ky mision nuk mund të quhet më gazetar, normalisht as ata që postojnë nëpër ueb faqe për ti rritur qarkullimet online” – tha Zeneli.
Ai ka shtuar se gjatë analizave me studentë kanë identifikuar tre ‘gjeneratorë’ të dezinformimit.
“E para është paraja, pra njerëz që prodhojnë dezinformata me qëllim të qarkullojnë sa më shumë uebfaqet e tyre, qoftë edhe ato në rrjete sociale, me idenë që të marrin sa më shumë para nga reklamimi online. Gjeneratori i dytë është politika e brendshme, pra partitë politike, liderët politik, ndaj njëri-tjetrit, me idenë që të marrin sa më shumë njerëz në përkatësinë e tyre politike dhe gjeneratorin e tretë e gjejmë atë që njihet si propaganda jo perendimore, në të cilën hyjnë propoaganda kineze dhe ajo ruse. Është me rëndësi me e cek sa e ngjashme është narrativa ruse që e bën për Ukrainën me at të Serbisë që e bën për Kosovën” – tha tutje ai.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, të premtën ka prezantuar Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.