Qualcomm prezantoi ditën e sotme çipin më fundit flagship që do të shkojë për smartfonët më të fuqishëm, Snapdragon 8 Gen 2.
Duke e bërë më të fuqishëm dhe efikas krahasuar me Gen 1, Qualcomm thotë se ka më shumë inteligjencë artificiale.
Snapdragon 8 do të përdorë motorin më të fundit Qualcomm AI Engine dhe procesorin e përmirësuar Hexagon për të ofruar përpunim natyral të gjuhës me përkthime në disa gjuhë si dhe funksionalitete të avancuara të kamerës përmes inteligjencës artificiale.
Procesori ka përmirësim arkitekturore duke sjellë 4.35 herë më shumë performancë në inteligjencë artificiale sipas Qualcomm.
Sipas kompanisë këto përmirësime do të sjellin më shumë funksionalitete të kamerës. Snapdragon 8 Gen 2 përmirëson fotot dhe video në kohë reale duke përdorur segmentimin semantik.
Duke përdorur rrjetet neurale të inteligjencës artificiale, kamera mund të optimizojnë individualisht elementë si fytyra, flokët, veshjet dhe qiellin.
Qualcomm ka përmirësuar çipin për të mbështetur sensorët e fundit si ai 200-megapiksel Isocell HP3 nga Samsung. Është modeli i parë Snapdragon që ofron mbështetje për 8K HDR me 60fps.
Snapdragon 8 Gen 2 ka një funksion intrigues për gamerat. Qualcomm thotë se për herë të parë do të ketë ray-tracing përmes hardueri duke përmirësuar pamjet vizuale të lojërave.
Grafikat e reja Adreno dhe procesorët Kryeo sjellin 25% më shumë performancë dhe 40% më shumë efikasitet krahasuar me Gen 1.
Në aspektin e konektivitetit Snapdragon 8 Gen 2 do të përdorë inteligjencën artificiale për të menaxhuar shpejtësitë e shkarkimi 5G, vonesat e transmetimit, mbulimin dhe efikasitetin. Çipit nuk i mungon mbështetja për dy karta SIM dhe Wi-Fi 7.
Telefonët e parë me çipin e ri mund të vijnë nga fundi i vitit nga ASUS, Honor, Motorola, OnePlus, Oppo, Sharp, Sony, Xiaomi dhe ZTE. /PCWorld Albanian