Cili mund të jetë dënimi që do ta marrë Gjokoviq për mesazhin politik për situatën në Kosovë?

May 30, 2023
1 minut lexim

Pak minuta pasi e kaloi rrethin e parë të turneut Roland-Garros, ku e mposhti amerikanin Aleksandar Kovacevic, Novak Gjokoviq e shfaqi një qëndrim për situatën politike në Kosovë, e cila sipas tij duhet t’i takojë Serbisë.

Me mesazhin e tij provokues, të shkruar në kamerën që po e xhironte lojën, tenisti serb doli kundër statutit etik të Federatës Franceze të Tenisit dhe me këtë rast mund të sanksionohet për këtë veprim.

Ky është një pozicion që dukshëm nxit më shumë lajme dhe vëmendje sesa fitorja e tij e djeshme.

Para se të shkonte në dhomat e zhveshjes, serbi e nënshkroi si tradicionalisht kamerën e pranishme në dalje të fushës.

Aty, tenisti nacionalist serb e shkroi një mesazh politik.

“Kosova është zemra e Serbisë.

Ndalojeni dhunën”, ka shkruar ai, njofton mediumi francez “Ouest-France”.

 

Karta etike e Federatës Franceze të Tenisit, përgjegjëse për organizimin e Grand Slamit të Parisit, shpjegon se “të gjithë tenistët duhet ta konsiderojnë si detyrë morale refuzimin e çdo forme dhune dhe mashtrimi”.

Dhe, tutje sqaron disa rreshta si, “ndalohen opinionet fetare apo politike”.

Dhe, gjesti i Gjokoviq shkon përtej dhe kundër kësaj dispozite.

Por, cili mund të jetë vendimi për tenistin serb? Për momentin është e vështirë të përcaktohet.

Por, sipas mediumit francez, Gjokoviq nuk rrezikon të përjashtohet nga Roland Garros, por mund të “shpëtojë” me një gjobë të thjeshtë për këtë veprim politik dhe nacionalist.

I pyetur në konferencë për mediat pas meçit, serbi ishte i qartë për gjestin e tij: “Si bir i një njeriu të lindur në Kosovë, ndiej një përgjegjësi shtesë për ta dhënë mbështetjen time për popullin tonë dhe për mbarë Serbinë”, u shpreh Gjokoviq, i cili gjithmonë ka shfaqur mesazhe politike dhe nacionaliste, duke insistuar se “ne jemi të gatshëm ta mbrojmë atë që na takon.”

Komiteti Olimpik i Kosovë dhe Federata e Tenisit të Kosovës kanë reaguar ndaj veprimit të fundit skandaloz të Gjokoviqit, ndërsa pritet të ankohen edhe në instancat më të larta të tenisit dhe të sportit në përgjithësi.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Gjykata në Japoni: Ndalja e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë, antikushtetuese

Story i radhës

Pezullohet presidenti i klubit italian

Të fundit nga

ShkoLartë