Që pas ndarjes nga Kiara Tito, Butrint Imeri është shfaqur gjithnjë vetëm. Këngëtari i dashur për publikun ka zgjedhur që të heshtë për jetën e tij private, duke u fokusuar te karriera e tij. Por duket se fama që ka nuk e ka “kursyer”, teksa në rrjet janë publikuar disa foto ku ai shfaqet i përqafuar me një vajzë.
Duket se edhe “fatlumja” nuk është një emër i panjohur. Pas shumë thashethemesh për një lidhje, më në fund Butrin Imeri fotografohet me modelen dhe aktoren Olta Beqiri. Ashtu siç shihet edhe në fotot e publikuara nga faqja “Vipat e Bllokut”, këngëtari dhe aktorja shfaqen të afërt me njëri-tjetrin, madje edhe të përqafuar.
Butrint Imeri dhe Olta Beqiri
Do të ishte vera e vitit të shkuar, kur dy të rinjtë u përfolën për një lidhje mes tyre. Fillimisht ata shfaqeshin në vende të njëjta, duke na futur në dyshime nëse kjo që po shihnim ishte nisja e një çifti tjetër në showbizz-in tonë. Megjithatë, në atë kohë, askush nuk pranoi të fliste rreth këtij raporti, përkundrazi. Në një deklaratë të tij, këngëtari kosovar mohoi lidhjen, duke u shprehur se ishte beqar.
Ai zgjodhi t’u përgjigjet lajmeve në një mënyrë shumë ironike. Butrinti postoi një fotografi të “photoshop”-uar në “Instastory”, ku shfaqet pranë një tigri dhe një vajze të veshur në mënyrë shumë provokuese. Këtë foto e ka shoqëruar me vargjet e këngës së Ledrit: “Unë jam single plus kam mas shumti femra!”. Kështu, artisti ka mohuar zërat se është në një lidhje.
Nga ana tjetër, Olta zgjodhi të heshte në lidhje me këtë lajm, duke vijuar e pashqetësuar karrierën e saj. Që nga vera e shkuar e deri më tani, asnjë lajm tjetër nuk qarkulloi më për këtë dyshe, duke lënë gjithçka pas. Dhe atëherë kur të gjithë filluam të mendonim se ndoshta ishim gabim, vjen kjo foto që sjell edhe konfirmimin e një tjetër çifti në showbizz-in tonë. Ndryshe nga Butrinti, që është ndër personazhet më mediatikë në tregun tonë, Olta ka zgjedhur një profil më të ulët në media.
Modelja, e cila sezonin e shkuar provoi veten edhe si aktore, të rralla i ka daljet publike. Ndonëse në “Isntagram” është mjaft aktive, në media ka preferuar të dalë dhe të flasë vetëm për punën e saj. Gjithnjë në “Instagram” apo “Tik-Tok”, ajo zgjedh të paraqitet vetëm, duke mos dashur të japë detaje nga jeta private. Këto foto konfirmojnë se realisht dy të rinjtë janë bashkë dhe lidhja qenka më serioze sesa e kishim menduar. Si Butrinti, ashtu edhe Olta ia kanë dalë ta ruajnë për gati 1 vit lidhjen e tyre larg vëmendjes mediatike.
Duket se Butrint Imeri ka një “debulesë” për gocat e Tiranës. Kujtojmë se vite më parë, ai dhe Kiara Tito janë përfolur shpeshherë për raportin e tyre. Së fundmi, Kiara Tito e pyetur në një intervistë për marrëdhënien e saj me këngëtarin, prezantuesja është përgjigjur e revoltuar se nuk ka pasur asgjë me të dhe se kjo pyetje nuk dëshiron që t’i bëhet më, pasi i ka ardhur në majë të hundës.
Megjithatë, kur rrjeti “vlonte” nga thashethemet për një lidhje mes tyre, dyshja i hodhi edhe më shumë “benzinë zjarrit”, duke qenë të dy së bashku në klipin e këngës së Butrintit “Hajt hajt”. Kiara u shfaq si modele kryesore në klip, duke i bërë të gjithë të mendojnë se ata më në fund e pranuan lidhjen e tyre.