Portieri amerikan, Gabriel Slonina, është zyrtarisht futbollist i Chelsea-t. 18-vjeçari ka nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare me “Blutë”, pra deri në vitin 2028.
“Gardiani” adoleshent ishte pjesë e skuadrës së MLS-së, Chicago Fire, ku do të vijojë të luajë në formë huazimi deri në përfundim të sezonit, përpara se të transferohet në Londrën perëndimore në fillim të vitit 2023.
Slonina u bë futbollisti më i ri Chicago Fire kur nënshkroi marrëveshje profesionale me klubin në vitin 2019, kur ishte vetëm 14 vjeç. Ai është gjithashtu portieri më i ri i aktivizuar titullar në një ndeshje të MLS, pasi ka debutuar për Fire në moshën 17 vjeç e 81 ditë në gusht 2021.
Slonina që atëherë është bërë titullar fiks, duke luajtur çdo minutë deri më sot. Ai numëron 34 paraqitje në total për klubin.
Slonina ka përfaqësuar Shtetet e Bashkuara me përfaqësueset e moshave, teksa në dhjetor është grumbulluar me ekipin e parë në fitoren 1-0 në miqësoren ndaj Bosnjë Hercegovinës.