Robert Sanchez është portieri i ri i Chelseat. Klubi londinez ka prezantuar zyrtarisht gardianin 25-vjeçar spanjoll, i cili vjen nga Brighton për një shifër prej 30 milionë eurosh.
Marrëveshja mes dy klubeve ishte arritur dy ditë më parë, teksa portieri spanjoll kreu testet mjekësore të premten dhe u prezantua zyrtarisht mëngjesin e të shtunës nga Chelsea.
Robert Sanchez është pjesë e Brighton që prej 2013-ës dhe pas aventurës në ekipin e moshave dhe dy huazimeve, është shndërruar në titullar që prej sezonit 2020-2021, duke u rritur vazhdimisht dhe treguar siguri mes shtyllave.
Pikërisht për këtë arsye, Chelsea vendosi të investojë pikërisht për Robert Sanchez paratë që mori nga shitja e Eduard Mendy në Arabinë Saudite.
Tashmë për spanjollin nis një eksperiencë e re, ku do të duhet të rivalizojë për një vend titullari me patriotin e tij Kepa Arrizabalaga, i cili ka qenë portieri titullar i londinezëve në sezonin që sapo u mbyll.