ChatGPT është aq inteligjent sa të kalojë me sukses provime prestigjioze universitare edhe pse jo me nota të larta.
Roboti i fuqishëm i komunikimit me inteligjencë artificiale së fundi kaloi me sukses provime në katër kurse në Universitetin e Minesota dhe një provim tjetër në Shkollën e Biznesit Wharton të Universitetit të Pensilvanisë sipas profesorëve të institucioneve në fjalë.
Për të kuptuar sesa mirë ChatGPT mund tu përgjigjet pyetjeve në provimet e katër kurseve, profesorët e Shkollës së Ligjit në Universitetin e Minesota së fundi vlerësuan provimet. Pasi përfundoi 95 pyetje me alternativa dhe 12 pyetje me shkrim, roboti mori një notë C+, një rezultat i dobët por kalues në katër kurset.
Në kursin e menaxhimit të biznesit në Wharton, ChatGPT performoi më mirë ku mori notat B dhe B-. Përmes një letre ku detajonte performancën, Christian Terwiesch, një profesor i Wharton, tha se ChatGPT kishte bërë një punë të shkëlqyer duke ju përgjigjur pyetjeve bazike të menaxhimit të operacioneve dhe përpunimit të analizës por haste vështirësi me pyetjet më të avancuara duke bërë gabime në matematikë bazike.
Rezultatet e testimit vinë ndërsa një numër në rritje shkollash dhe mësuesish shprehën shqetësim për impaktin e menjëhershëm që ChatGPT ka pasur tek studentët duke ju dhënë mundësi të mashtrojnë me detyrat e shtëpisë. Disa edukatorë tashmë po përpiqen të rimendojnë detyrat që japin në përgjigje të ChatGPT, edhe pse nuk është ende e qartë sesa i përhapur është përdorimi i mjetit në mesin e studentëve apo sa i dëmshëm mund të jetë për proceset mësimore.
Që kur u bë i disponueshëm në fund të Nëntorit, ChatGPT është përdorur për të gjeneruar ese origjinale, shkrime e madje tekste këngësh. Madje ka krijuar disa studime që ka lënë disa shkencëtarë të hutuar. Disa CEO e kanë përdorur për të shkruar e-mail-e ose për kontabilitet.
ChatGPT trajnohet nga sasia e madhe e të dhënave online për të gjeneruar përgjigje ndaj pyetjeve të përdoruesve. Edhe pse ka fituar popullaritet, shpeshherë ka ngritur shqetësime nisur nga pasaktësitë dhe përdorimi i tij për të shpërndarë dezinformim.
Jon Choi, një prej profesorëve të ligjit të Universitetit të Minesota, tha për CNN se qëllimi i testimeve ishte eksplorimi i potencialit të ChatGPT për të asistuar juristët në praktikat e tyre dhe për të ndihmuar studentët në ushtrime sepse pyetjete provimeve përfaqësojnë atë çfarë juristët bëjnë çdo ditë në punën e tyre.
“ChatGPT hasi vështirësi me provimet e komponentëve klasikë të ligjit, siç është dallimi i problemeve ligjore apo analiza e thellë e ligjeve për raste të caktuara,” tha Choi. “Por ChatGPT mund të jetë shumë i dobishëm në prodhimin e draftit të parë që më pas studenti mund ta rafinojë.”
Ai argumenton se bashkëpunimi njeri-inteligjencë artificiale është më premtues në rastin e ChatGPT apo me teknologji të ngjashme.
“Mendoj se asistentët AI do të bëhen mjete standarde për juristët në të ardhmen e afërt, dhe shkollat e ligjit duhet ti përgatisin studentët për këto skenarë,” tha ai. “Sigurisht, nëse profesorët e ligjit duan të vijojnë të testojnë kujtesën për ligje dhe doktrina, ata duhet të vendosi kufizime siç është ndalimi i përdorimit të internetit gjatë provimeve.”
Ajo që profesorët e Wharton zbuluan ishte edhe fakti sesa lehtë ChatGPT modifikonte përgjigjet mbështetur në udhëzimet e njeriut, siç ishte ripërpunimi pasi evidentimit të një gabimi duke sugjeruar një potencial të madh të punës mes njeriut dhe AI.
Në një periudhë afatshkurtër, shqetësimi mbetet nëse apo sesi studentët duhet ta përdorin ChatGPT. Shkollat publike në New York City dhe Seattle tashmë kanë ndaluar studentët dhe mësuesit të përdorin ChatGPT në rrjetet dhe pajisjet e distriktit.
Duke konsideruar faktin se ChatGPT performoi mbi mesataren gjatë provimit, Terwiech tha për CNN se ai pranon idenë e aplikimit të kufizimeve për studentët ndërsa po bëjnë testimet.
“Kufizimet janë të nevojshme,” tha ai. “Mbi të gjitha, kur i jepni një doktori një diplomë, ju prisni që ai ta njohë mjekësinë, jo të përdorë një robot. E njëjta vlen edhe për certifikimin e aftësive të tjera, përfshirë ligjin dhe biznesin.”
Por Tewiesch beson se teknologjia ende ka një vend në auditore. “Nëse ngelim me të njëjtin sistem edukimi si më parë, kemi shpërdoruar një mundësi të madh që vjen me ChatGPT,” tha ai. /PCWorld Albanian