Shkup, 25 Dhjetor – Çmenduria e vërtetë në pikën kufitare me Serbinë ka ndodhur kur një grup më i madh i doganierëve dhe policëve, kolegë të zyrtarëve të arrestuar, kanë dalë në protestë, duke mos lejuar që kolegët e tyre të përfundojnë në stacion.
Situata për momentin është e tensionuar, nga njëra anë janë policët dhe doganierët që duhet të arrestohen, nga ana tjetër policët që duhet të arrestojnë, por pjesa më e keqe është për qytetarët që presin me orë të tëra për hyrje dhe dalje nga Maqedonia. Disa qytetarë që presin hyrje-dalje nga vendi po protestojnë edhe jashtë veturave të tyre, por edhe me bori nga veturat e tyre pasi që nga ora 18:00 pika kufitare është mbyllur për qarkullim.
Nga MPB konfirmojnë se së bashku me PThP është duke u zhvilluar një aksion policor, por pasi nuk ka përfunduar nuk mund të ndajnë më shumë detaje me opinionin.
Udhëtarët e revoltuar kërkojnë hapjen e menjëhershme të kufirit, i cili sipas tyre është mbyllur prej më shumë se 3 orësh dhe aty ka një kolonë të gjatë. Shikoni në vijim videon e ngjarjes në Tabanoc.
Në rrjetet sociale është publikuar video nga aksioni që është kryer pasditen e sotme në vendkalimin e Tabanovcës, ku sipas informacioneve fillestare janë ndaluar tre persona për ryshfet dhe ryshfet.
Qytetarët që ndodheshin në atë moment në kufi janë tërbuar me njësinë speciale.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është duke zhvilluar aksion të përbashkët në Stacionin Policor në Tabanovc”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Për shkak të aksionit, automjetet janë bllokuar në kufirin maqedono-serb. Qytetarët kanë postuar video dhe foto në rrjetet sociale që tregojnë bllokimin e kufirit.
Edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka reaguar pas kolonave të gjata të veturave në “Tabanoc” që janë shkaktuar pas bastisjeve që bëri Policia dhe Prokuroria. Kasami thotë se kufiri u bllokua pikërisht në kohën kur mërgimtarët po kthehen në vendlindje.
“Ajo që sonte ndodhi në pikën kufitare në Tabanocë është një turp i radhës i kësaj qeverie të pa ligjitimitet. Nuk ka ndodhur as në krizat më të mëdhaja që të mbyllen pikat kufitare, ndërsa sonte pikërisht në kohën kur mërgimtarët tanë kthehen në vendlindje, policia mbyll gjithë kufirin. Arsyetimet se kufiri është mbyllur për një aksion policor nuk mban, sepse në asnjë moment nuk duhet penguar lëvizja e njerëzve, e sidomos në këto ditë kur fluksi është më i madh. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt, duke kërkuar përgjegjësi nga MPB-ja dhe përfaqësuesit shqipfolës që përbëjnë Qeverinë e Krimit. Shpresojmë që Maqedonia e Veriut, të mos ketë dëgjuar aleatin e Putinit (Serbinë), e cila ditë më parë u deklarua se do t’i mbyll pikat kufitare shkaku i mërgimtarve shqiptar”, shkruan Kasami.
Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar pas bastisjeve të sotme të Policisë dhe Prokurorisë në vendkalimin kufitar “Tabanoc”. Nga ASH kërkojnë që të lirohet qarkullimi për qytetarët.
“Të lehtësohet kalimi në Tabanocë, qytetarët maltretohen në kolona. Qytetarë të shumtë dhe mërgimtarë të cilët po kthehen në vendlindje për festat e fundvitit, sonte janë bllokuar në kolona të gjata me kilometra në vendkalimin kufitar në Tabanocë. Fëmijë të vegjël, të moshuar dhe qytetarë të rraskapitur nga udhëtimi, tani duhet të presin edhe me orë të tëra në këtë natë të ftohtë për të kaluar kufirin. U bëjmë thirrje institucioneve kompetente kufitare që urgjentisht të vihen në veprim për të zgjidhur këtë situatë që po shndërrohet në golgotë për qytetarët tanë.Urgjentisht të lehtësojnë kalimin në pikën kufitare dhe të parandalojnë një kaos edhe më të madh dhe zgjatjen e kolonave, pasi pritet që orëve dhe ditëve në vazhdim edhe shumë automjete t’i afrohen vendkalimit kufitar”, thonë nga ASH.
Burimi: zhurnal.mk