Presidenti rus Vladimir Putin pritet të mbajë një fjalim urgjent mbrëmjen e sotme, ku do t’i drejtohet popullit të tij për zhvillimet në Ukrainë. Ai mendohet të flasë për çështjen e referendumeve që autoritetet pro-ruse synojnë të mbajnë në rajonet e pushtuara të Ukrainës në ditët në vijim.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë planet e Rusisë për të mbajtur referendume në disa pjesë të Ukrainës dhe tha se kjo lëvizje e Moskës me shumë mundësi ka të ngjarë të jetë për të rekrutuar trupa në ato zona pasi pësoi humbje të mëdha në fushën e betejës.
Jake Sullivan, këshilltari i Presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare, i quajti referendumet një fyerje ndaj parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial.
Ekspertët ndërkombëtarë e kanë lidhur ngjarjen e referendumeve që pritet të lajmërojë sot presidentin Putin, me një vendim të marrë nga Palamenti (Duma) në Rusi për të ashpërsuar dënimin për shkeljen e detyrave të shërbimit ushtarak – si dezertimi dhe shmangja nga shërbimi.
Pentagoni tha se deklaratat e liderëve të Republikave Popullore të vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut për të mbajtur referendume për bashkimin me Federatën Ruse po shërbejnë si shpërqendrim pas kundërofensive të suksesshme të Ukrainës.
“Ky është thjesht një operacion informacioni që synon të shkëpusë vëmendjen nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhet aktualisht ushtria ruse,” tha sekretari i shtypit i Pentagonit, gjeneral brig. Pat Ryder gjatë një konference në Pentagon të martën.
Reagimet nga shtete e tjera kanë qenë të forta dhe paralajmëruese për Moskën, duke i paraprirë një vendimi të presidentit Putin mbrëmjen e sotme. Nëse zonat e aneksuara nga Rusia shpallen autonome dhe Ukraina vazhdon sulmet për rimarrjen e tyre, atëherë Moska mund të aktivizojë armët atomike.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron raportohet se ka kërkuar një bisedë telefonike urgjente me Vladimir Putin. Këtë e thonë zërat nga Moska, shkruajnë mediat e huaja. Po ashtu, në të njëjtën linjë është dhe kancelari gjerman Scholz, i cili njoftoi se nuk do të njohë rezultatet e referendumeve në Donbass, nëse ato mbahen.