Çfarë ndodh pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE?

December 15, 2022
min lexim

Kosova ka synuar që t’iu bashkohet organizatave perëndimore prej kur ka shpallur pavarësinë më 2008.

Mirëpo shpërthimi i luftës së Rusisë në Ukrainë i ka dhënë zgjerimit të BE-së një shtytje të re.

Pasi Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian këtë verë, dhe pas vendimit të njëjtë që është marrë për Bosnje-Hercegovinën ditë më parë, Kosova pati mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa aplikim zyrtar për anëtarësim.

Pse është i rëndësishëm ky aplikim?

Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë, pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Në fakt ky është një rast ligjor sui generis, me të cilin do të merret Brukseli.

Dhe nuk janë vetëm pesë shtetet mosnjohëse – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që kanë mospajtimet e tyre. Vetë Bashkimi Evropian, si tërësi, nuk e njeh Kosovën si shtet sovran për shkak të pesëshes.

Blloku evropian i referohet këtij shteti vetëm si “Kosova”, me një fusnotë, që jep hollësi për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetëson BE-ja.

Në të thuhet: Ky simbol nuk paragjykon statusin dhe është në linjë me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, si dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpallje të pavarësisë.

Ky fakt është i rëndësishëm sepse, sipas traktatit të BE-së, “secili shtet evropian” mund të aplikojë për anëtarësim në bllok. Këtu nuk ka vend për interpretim.

Çfarë do të ndodhë tani?

Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dorëzojë aplikacionin në Pragë, zyrtarët çekë, për shkak se aktualisht udhëheqin Presidencën e BE-së, do të informojnë 26 vendet tjera anëtare për këtë vendim të Kosovës.

Diçka e tillë pritet të ndodhë javën e ardhshme në një takim që mbahet në nivel të ambasadorëve.

Mirëpo më pas do të jetë Suedia – e cila merr Presidencën e BE-së më 1 janar – që do të merret me këtë çështje.

Kjo nënkupton nisje të konsultimeve me kryeqytetet tjera të BE-së, sidomos ato mosnjohëse.

Ka indikacione që Këshilli do të marrë vendime se si të procedojë kur suedezët të kenë Presidencën e BE-së – për dy arsye.

Së pari, sepse Spanja – ndoshta vendi më kundër pavarësisë së Kosovës – do të jetë në krye të BE-së pas Suedisë, dhe me shumë mundësi ajo nuk do të ketë dëshirë të merret me këtë punë.

Së dyti, më 2024 ka shumë mundësi që kjo çështje të fshihet nëpër sirtarë, për shkak të zgjedhjeve që mbahen atë vit në Parlamentin Evropian dhe më pas zgjidhet edhe përbërja e re e Komisionit dhe Këshillit Evropian.

Çfarë mund të bëjë tani Këshilli?

Ekzistojnë dy mundësi. Njëra është që Këshilli të kërkojë nga departamenti i tij ligjor për një mendim lidhur me këtë aplikim.

Duhet pasur parasysh se diçka e tillë merr kohë, prandaj ka shumë mundësi që aplikacioni t’i dërgohet Komisionit Evropian për të përgatitur ai një opinion ligjor në këtë temë.

Ky është hapi i parë dhe që zakonisht nuk diskutohet. Mirëpo ky rast është ndryshe.

Për të dërguar një aplikacion te Komisioni Evropian, fillimisht duhet arritur pajtueshmëri 27 vendet anëtare, por edhe këtu ekziston një mundësi për t’ia dalë. Fillimisht duhet bërë dallimin mes “unanimitetit” dhe “konsensusit”.

Në shikim të parë këto dy fjalë tingëllojnë si sinonime, mirëpo në sistemin e BE-së nuk janë të tilla. E para nënkupton që të gjithë duhet të thonë po. E dyta nënkupton që nuk ka zëra kundërshtues. Kjo ofron mundësi që shtetet, sikurse Spanja, “të shikojnë në anën tjetër të ekranit” dhe të jenë pjesë e grupit, pa u pajtuar se Kosova është shtet sovran.

Çfarë ndodh më pas?

Nëse Komisioni Evropian angazhohet për të dalë me një opinion, atëherë ky trup duhet të veprojë ashtu.

Mirëpo përpilimi i raportit mund të marrë vite, pasi rasti është unik dhe i komplikuar.

Përgjatë kësaj hapësire kohore, ka mundësi që realiteti politik të ndryshojë në Evropë, përfshirë edhe qasjen ndaj pavarësisë së Kosovës.

Çështja kyçe lidhet me dialogun e Kosovës me Serbinë.

Bisedimet janë duke u zhvilluar që një dekadë, me qëllim të normalizimit të “marrëdhënieve” në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Nuk është bërë shumë përparim në këtë drejtim viteve të fundit, ndonëse tani ekziston një propozim në tavolinë, që ndonëse nuk përmend njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, të paktën bën thirrje për njohje reciproke të simboleve kombëtare, siç janë pasaportat dhe ofrimi i mbështetjes ndaj njëra-tjetrës në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Ky propozim nuk shihet si marrëveshje finale në mes dy vendeve, por si rrugë drejt saj – dhe në të njëjtën kohë ofron vizionin më të mirë për të dyja shtetet që një ditë të bëhen anëtare të BE-së.

Çfarë opinioni mund të ketë Komisioni Evropian?

Këtu secili mund të japë vlerësimin e vet, mirëpo tri elemente janë në të mirë të Kosovës.

Ky vend veçse është konsideruar “kandidat potencial” nga BE-ja; blloku evropian e ka konfirmuar dhe rikonfirmuar disa herë qëndrimin që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, dhe për më shumë, Kosova e ka të nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në prej vitit 2015.

Kjo marrëveshje në mes të Brukselit dhe Prishtinës mund të shërbejë si dëshmi për marrëveshjet e së ardhmes mes dy palëve. Mirëpo duhet pasur parasysh edhe disa gjëra.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim është “kompetencë e komunitetit”, që nënkupton se Komisioni nuk ka pasur nevojë për miratimin e të gjitha shteteve për ta miratuar atë, dhe meqë është kompetent tregtar, në opinionin ligjor është thënë se nëse BE-ja mund të nënshkruajë marrëveshje tregtare me entitetet sikurse Hong Kongu dhe Makau, atëherë mund ta bëjë të njëjtën gjë edhe me Kosovën.

Prandaj, anëtarësimi në BE-së dhe harmonizimi i ligjeve e rregulloreve të një shteti me ato të bllokut është krejt diçka tjetër. Prapëseprapë, ka shumë mundësi që Brukseli do të arrijë deri te një përfundim, dhe që shtetet ngurruese do ta pranojnë që, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit përbën “diversitet në njohje dhe unitet në angazhim”, ashtu që ky proces të përdoret si rrugë për të nisur procesin e anëtarësimit./Rel

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ushtarët britanikë të KFOR-it shkojnë pranë barrikadave, i pyesin serbët se kush po i drejton ato

Story i radhës

​Sekuestrohen 1,3 tonë kokainë e fshehur mes bananeve në Holandë

Të fundit nga

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë