Analistja politike Zana Avdiu, ka reaguar pas aksidentit tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku vdiqën tre këmbësorë.
Ajo e ka quajtur “natë të zezë” natën e mbrëmshme, pasi brenda një dite në Kosovë pati 5 viktima në aksidente rrugore, përcjell Bota sot.
Avdiu ka kërkuar dënime më të rrepta për shkeljet në trafik.
“Tre djem të rinj, e humbën jetën në rrugët e Kosovës.
Brenda një dite 5 persona vdiqën, në aksident rrugor.
Çfarë nate e zezë.
A nuk ka ardhë koha, që dënimet më të rrepta, me i ba për shkeljet e rregullave të trafikut?
Nuk është hajgare kjo. Gati çdo ditë po na vdesin njerëz në rrugë.
Ngushëllime familjeve!”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh, ka dhënë detaje për aksidentin me vdekje në Prizren.
Në raport thuhet se gjatë ngasjes në autostradë një shofer ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka goditur tre këmbësorë, të cilët kanë vdekur.
Përpos tyre, edhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.
“Aksident trafiku me fatalitet – Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore”, thuhet në raportin e Policisë.