Bashkimi Sovjetik etiketohet zakonisht në Perëndim si “perandoria sovjetike”, apo edhe si “perandoria ruse. Dhe në aspektet kryesore ajo ishte vërtet e tillë. Gjatë Luftës së Ftohtë, Moska pushtoi dhe kontrolloi një mori shtetesh përgjatë periferisë së saj, dhe të dhënat historike të zgjerimit të Rusisë përmes pushtimit dhe kolonizimit janë shumë të qarta.
Por as në gazetari dhe as në fushën e studimeve akademike, kjo nuk ka çuar në atë që duhet të ishte një përfundim logjik kur flitet për kuptimin e konflikteve në hapësirën ish-sovjetike. Pra vendosja e këtyre konflikteve në kontekstin më të gjerë të asaj që ndodh kur shemben perandoritë.
Natyrisht, Bashkimi Sovjetik ka qenë një rast shumë i veçantë midis perandorive. Por në një masë më të madhe ose më të vogël, kjo mund të thuhet për të gjitha. Pasi kishte dallime të mëdha midis perandorive britanike, franceze dhe spanjolle, e lëre më pastaj midis osmanëve dhe kinezëve.
Por një vijë ndarëse themelore i karakterizon të gjitha: ajo midis perandorive tokësore dhe atyre detare. Rusia ishte një perandori tokësore, dhe në disa aspekte mbetet e tillë edhe sot, si në përbërje po ashtu edhe në politikën e saj. Kjo gjë ka pasur pasoja të rëndësishme gjatë dhe pas rënies sovjetike, duke vazhduar deri më sot.
Pavarësisht luftës brutale në Ukrainë, dhe shtypjes po aq brutale të rebelimit çeçen, konfliktet dhe mosmarrëveshjet që pasuan rënien e BRSS, nuk kanë qenë nga më të këqijat në historinë e perandorive, duke përfshirë ato të kohëve relativisht të fundit.
Në çdo rast dhe pa asnjë përjashtim, fundi i perandorisë ka shkaktuar një dhunë masive. Në disa raste, kjo ka ndodhur gjatë dhe menjëherë pas rënies së perandorisë. Në të tjerat, dhuna shpërtheu pasi kishin kaluar disa dekada. Në Irlandë, Lindjen e Mesme, Azinë Jugore, Evropën Lindore dhe Ballkan, pasojat e rënies së Perandorive Habsburge, Osmane dhe Britanike – dhe natyra e shpërbërjes së tyre – janë duke u analizuar ende sot, disa breza më vonë.
Marrëdhënia midis perandorisë dhe konflikteve lokale, ka qenë tërësisht e paqartë, e përmbledhur më së shumti në epitetin e Tacitit për Romën perandorake, të cilën historiani romak e vendos në gojën e një prijësi britanik: “Ubisolitudinem faciunt, pacem appellant” – “Ata krijojnë një shkretëtirë dhe e quajnë paqe!”.
Krijimi i perandorive përfshin një dhunë masive, ndonjëherë në një shkallë gjenocidale. Por pas këtij momenti interesat ekonomik dhe politik të fuqive perandorake, ato kërkojnë ruajtjen e paqes në të gjithë territoret e tyre. Pretendimi për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellë paqen – qoftë nën një Pax Romana, Pax Britannica apo PaxAmericana – është po ashtu thelbësor për legjitimitetin dhe ndjenjën e misionit perandorak.
Megjithatë, perandoritë ngrijnë, gjenerojnë dhe inkubojnë konflikte. Ndonjëherë kjo ndodh sepse sundimi perandorak i pezullon konfliktet e mëparshme, si ai midis hinduve dhe myslimanëve në Indinë Britanike, apo armenëve dhe azerëve nën carët dhe liderët komunistë sovjetikë.
Ndonjëherë burimi i konfliktit, është krijimi nga perandoria i shteteve krejtësisht të rinj dhe me kufij të rinj – si Iraku në Lindjen e Mesme – që grumbullojnë etni të ndryshme, të cilat nuk kishin jetuar më parë në të njëjtin shtet, ndajnë një popull midis shteteve fqinje, ose i detyrojnë të jetojnë “nën një çati” armiqtë shekullorë, siç ka ndodhur në ish-Jugosllavi dhe shumë kombe afrikane.
Kjo gjë çon jo vetëm në konflikte civile, por ndonjëherë në luftëra midis shteteve pasardhëse, si në Kashmir, ish-Jugosllavi. Ndonjëherë pakënaqësitë e shumta janë rezultat i migrimit masiv të nxitur nga zhvillimi ekonomik perandorak ose kolonizimi i synuar: anglezët dhe skocezët në Irlandë, kinezët në Inditë Lindore, indianët në Fixhidhe Inditë Perëndimore, Tamilët në Sri Lankan e sotme, gjeorgjianët në Abkhazi, rusët në republikat baltike dhe pjesë të Ukrainës.
Pasojat më të këqija janë masakrat e frikshme, si vrasjet e kinezëve që shoqëruan grushtin e shtetit në Indonezi në vitin 1965, apo lufta gjeorgjiane-abhaziane e 1992-1993, që nisi pas masakrave të gjeorgjianëve kundër abhazëve, dhe përfundoi me spastrimin etnik të shumicës së popullatës gjeorgjiane nga fitimtarët abhazë.
As ligji ndërkombëtar dhe as demokracia nuk i japin përgjigje të qarta ndonjërës prej këtyre mosmarrëveshjeve. Ishte teoria e vetëvendosjes etnike në emër të demokracisë, e përdorur nga presidenti i SHBA-së Udrou Uillsonnë përfundim të Luftës së Parë Botërore, ajo që siguroi një zgjidhje liberale për problemet e shkëputjeve dhe spastrimit të dhunshëm në mbarë Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe Evropën Juglindore.
Së fundmi, nuk është e arsyeshme të pritet që banorët vendas dhe udhëheqësit e tyre të jenë automatikisht të bindur ndaj ligjeve ndërkombëtare, të cilat nuk i kanë hartuar vetë, apo të kenë rënë dakord mbi to.
Kur u shembën perandoritë britanike, osmane, habsburge dhe sovjetike dhe u shpërbë Jugosllavia, ishte shumë e natyrshme për katolikët irlandez të veriut, kurdët, gjermanët sudetë, shqiptarët e Kosovës, myslimanët e Kashmirit, bangladeshasit, biafranët, serbët, kroatët, pashtunët, çeçenët, osetianët e Jugut, armenët e Karabakutdhe rusët e Krimesë që të kërkonin apo mbështesnin pavarësinë dhe bashkimin me bashkë-kombasit e tyre në një shtet fqinj.
Ndonjëherë, si në Irlandë, Azinë Jugore dhe Sudan, rezultati ka qenë ndarja e pranuar ndërkombëtarisht. Në shumicën e rasteve, gjërat janë vendosur nga një kombinim i pragmatizmit dhe forcës superiore. Por ka sërish një ndryshim të madh në këtë drejtim, midis pasojave nga shembja e perandorive detare dhe tokësore.
Fuqitë detare mund të kthehen në shtëpi përmes qindra apo mijëra miljesh ujërash dhe të ndahen (edhe pse shpesh vetëm pas luftërave të tmerrshme për pavarësinë, si në Indokinë, Algjeri dhe Kenia) nga konfliktet që lënë pas. Ndërkohë ish-perandoritë tokësore, thelbi i vjetër i kombit perandorak, mbeten në kufijtë e zotërimeve të tyre të mëparshme perandorake, dhe popullsia e tyre në shumicë dhe pakicë shtrihet shpesh përtej këtyre kufijve.
Kjo ka qenë e vërtetë për Turqinë, e cila ka një popullsi të madhe kurde, që i mbivendoset pakicave kurde të Sirisë, Irakut dhe Iranit, dhe natyrisht ka aspirata për t’u bashkuar me ta në një shtet kurd. Turqia do të ishte përballur me probleme të ngjashme me pakicat e saj të mëdha armene dhe greke, nëse nuk do t’i kishte vrarë apo dëbuar pothuajse të gjithë.
Në vitet 1920-1930, si shtet pasardhës i perandorisë gjermane dhe në kufi me shumë nga tokat e ish-Austrisë, Gjermania u përball me këtë problem por në një drejtim të kundërt: pakicat e mëdha etnike gjermane në shtetet fqinje, dëshironin ribashkimin me Gjermaninë. Vendet e ish-Bashkimit Sovjetik i përmbajnë të dyja këto veçori. Në një rast, një perandori detare (Britania) kontrollonte gjithashtu një koloni në kufirin e saj të menjëhershëm (Irlandë), me rezultatin që ato që i përkisnin pakicës perandorake të kolonëve (pasardhësit e të cilëve janë protestantët irlandezë), mbeten qytetarë të shtetit të mëparshëm perandorak.
Pasoja: edhe sot e kësaj dite Britania sundon një pjesë të Irlandës, dhe deri në vitet 1990, ishte e përfshirë në atë që përbënte një luftë post-koloniale. Por për këtë nuk duhen fajësuar politikanët britanikë të gjeneratave të fundit. Ata nuk ishin gjallë në kohën e pushtimeve të përgjakshme të Mbretëreshës Elizabeta I dhe Oliver Kromuell, dhe as për aneksimin e territoreve irlandeze, dhe vendosjen në to të anglezëve dhe skocezëve.
Asgjë nga ato që përmenda më lart nuk e justifikon pushtimin rus të Ukrainës, më shumë se sa e justifikon sjelljen shpeshherë të tmerrshme të shteteve të tjera perandorake dhe post-perandorake. Gjithsesi historia na sugjeron 2 gjëra: Së pari, që luftërat ruse në Ukrainë dhe Kaukaz nuk janë pjesë e një plani më të gjerë për agresion kundër Perëndimit.
Lufta ruse në Ukrainë ka të bëjë me Ukrainën. Prandaj, ne mund të kërkojmë një zgjidhje pragmatike për luftën, pa pasur frikë se kjo do ta inkurajojë Rusinë të kërcënojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian, me përjashtimin e mundshëm të shteteve baltike, dhe vetëm nëse baltikët do të ndërmarrin një veprim agresiv të pamatur kundër Rusisë, si për shembull, duke ndërprerë komunikimet me enklavën ruse të Kaliningradit.
Së dyti, ne duhet t’i qasemi kërkimeve për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë me frymën e realizmit etik, që synon një paqe të qëndrueshme, e cila do t’i sigurojë pavarësinë Ukrainës dhe rrugën e saj të mundshme drejt anëtarësimit në BE, dhe jo në një qasje hiper-moralizuese, që ka shumë gjasa ta bëjë të pamundur paqen.
Marrë me shkurtime Nga “Foreign Policy” – Bota.al