Çfarë do të thotë pushtimi i Ukrainës për faturat e energjisë?

February 26, 2022
min lexim

Përkundër luftës në Ukrainë, gazi natyror vazhdon të rrjedhë normalisht përmes tubacioneve kryesore nga Rusia në Evropë.

Megjithatë, pushtimi rus dhe sanksionet që po e pasojnë shkaktojnë pasiguri për lidhjet energjetike.

Bota tashmë përballet me çmime të larta të energjisë dhe me kriza furnizimi.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka lëkundur tregjet e energjisë, jo vetëm për faktin se Evropa varet nga furnizimet ruse me gazin natyror, por Rusia është gjithashtu një prodhuese e madhe e naftës.

Si qëndron situata me çmimet e naftës dhe gazit?

Një fuçi e naftës standarde të papërpunuar në SHBA ka kaluar 100 dollarë për fuçi të enjten, pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën. Çmimet e gazit natyror janë rritur gjithashtu, edhe pse operatorët thonë se tubacionet funksionojnë si zakonisht.

Çmimet për të dyja produktet kanë rënë pasi zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë thënë se sanksionet kundër Rusisë nuk do t’i ndërpresin furnizimet me energji, ose pagesat për dërgesat e naftës dhe gazit, përmes bankave.

Megjithatë, frika nga ndërprerja e furnizimeve i ka shqetësuar si njerëzit, ashtu edhe tregjet.

Në disa pompa të benzinës në Poloni ka pasur radhë të gjata njerëzish, të cilët, nga frika e luftimeve në Ukrainën fqinje, kanë nxituar për të mbushur rezervuarët e tyre. Një zëdhënës i Qeverisë polake ka thënë se ky vend ka mjaft rezerva.

Mbi 30 për qind të gazit Evropa e merr nga Rusia, si për ngrohje dhe industri, ashtu edhe për gjenerim të energjisë elektrike.

“Ndalesa e plotë e eksporteve të gazit nga Rusia është shumë e pamundur, por gazi i transportuar përmes Ukrainës – që përbën 8% të furnizimeve evropiane – është shumë i rrezikuar”, thonë analistë të kompanisë së pavarur të kërkimeve energjetike Rystad Energy.

Furnizimi me gaz të lëngshëm natyror, të sjellë me anije nga SHBA-ja, ka ndihmuar në lehtësimin e një pjese të mungesës së gazit në Evropë këtë dimër, por ai është i shtrenjtë.

Sipas Rystad-it, çmimet e gazit natyror në SHBA janë afro 60% më të larta se një vit më parë.

Çfarë do të thotë kjo për konsumatorët?

Konflikti është duke rritur çmimet e energjisë, edhe ashtu të larta në Evropë dhe SHBA. Nëse çmimet e naftës rriten në 120 dollarë për fuçi dhe çmimet e gazit mbeten të larta, inflacioni do të rritet dhe do të ngadalësojë rritjen ekonomike këtë vit, thonë analistët në bankën Berenberg, me seli në Hamburg të Gjermanisë.

Disa analistë besojnë se çmimi i benzinës së zakonshme mund të rritet mesatarisht në 4 dollarë për gallon në SHBA, në muajt e ardhshëm.

“Kjo do të krijojë shumë ankth për konsumatorët dhe Qeveria jonë nuk ka gjetur zgjidhje për t’i ndihmuar familjet pas rritjes së çmimeve të benzinës”, thotë Mark Wolfe, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Drejtorëve të Asistencës për Energjinë në SHBA.

Familjet me të ardhura më të ulëta janë më të goditura nga çmimet e larta të benzinës, sepse ato e përdorin më shumë makinën për të shkuar në punë, shton ai.

Në Evropë, qeveritë kanë lëshuar subvencione në para për t’i ndihmuar konsumatorët e goditur nga faturat më të larta të shërbimeve.

Pse sanksionet nuk kanë goditur naftën dhe gazin nga Rusia?

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk do të bllokojnë dërgesat ruse të energjisë, edhe pse energjia është një shtyllë e buxhetit të Rusisë dhe kështu një burim kryesor i financimit për ushtrinë ruse që sulmon Ukrainën.

Arsyeja: furnizimet globale të energjisë janë të ngjeshura dhe çmimet janë të larta. Ndërprerja e naftës ruse do t’i rriste çmimet dhe do ta përkeqësonte inflacionin në SHBA dhe Evropë, ndërsa Evropa do të luftonte edhe zëvendësimin e gazit rus.

A mund të ndërpriten krejtësisht furnizimet me gaz?

Evropa është klienti më i madh i gjigantit shtetëror rus të gazit, Gazprom. Ajo ka marrë 83% të shitjeve të tij në vitin 2020.

Gazprom ka bërë përpjekje të rrisë llojshmërinë e klientëve, duke shitur edhe në Kinë. Por, tubacionet e lidhin pjesën më të madhe të gazit të tij me Evropën.

Rusia ka pak terminale të gazit të lëngshëm, që do t’i mundësonin të dërgonte gaz në çdo destinacion që ka terminal importi. Lidhjet e reja me Kinën janë vite larg.

“Kapaciteti i Rusisë për të devijuar rrjedhën e gazit drejt Kinës, është shumë i kufizuar tani, dhe në kohën kur të rritet, BE-ja do të ketë opsione të tjera”, thotë Alicia Garcia Herrero, ekonomiste për rajonin e Azi-Paqësorit në bankën Natixis.

Sipas kompanisë Rystad Energy, eksportet e gazit i sjellin Kremlinit më shumë se 300 milionë dollarë çdo ditë dhe humbjen e këtyre të ardhurave “nuk mund ta përballojë”.

Kjo është arsyeja përse analistët e konsiderojnë si të pamundur ndërprerjen totale të gazit nga Evropa ose Rusia. Të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën.

Çfarë do të thotë kjo në afat të gjatë?

Lufta ka intensifikuar pyetjet në lidhje me varësinë e Evropës nga gazi rus.

“Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë pakujdesinë e mosdiversifikimit të burimeve tona të energjisë dhe të ofruesve tanë në dekadat e fundit”, ka thënë kryeministri italian, Mario Draghi, më 25 shkurt.

Mungesa e rezervave të gazit në Evropë këtë dimër ka ndodhur pjesërisht për shkak se Gazprom nuk ka shitur gaz shtesë, përtej kontratave të tij afatgjate. Kjo ka ngritur shqetësimet se Rusia mund ta përdorë gazin si levë.

Qeveria gjermane ka bërë një hap të madh pas pushtimit të Ukrainës, duke ngrirë procesin e miratimit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, që do ta sillte gazin direkt nga Rusia në Gjermani.

SHBA-ja e ka kundërshtuar këtë projekt, duke thënë se do ta rrisë varësinë e Evropës nga Rusia.

Megjithatë, gjetja e furnizimeve të reja të energjisë do të marrë vite. Evropa vazhdon të ketë nevojë për gaz natyror për t’i ndezur termocentralet e saj, derisa burimet e rinovueshme të rrymës të ndërtohen mjaftueshëm.

Përgjigjja afatgjate është zhvillimi dyfish i energjisë së rinovueshme, për të luftuar ndryshimet klimatike, thotë Claudia Kemfert, eksperte e energjisë në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike në Berlin.

“Përgjigjja më e mirë për luftërat e karburanteve fosile është një tranzicion i përshpejtuar i energjisë. Do të sjellë paqe”, thotë Kemfert./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Arrestohet një vjedhës në Bit Pazar të Shkupit

Story i radhës

Cake me Shkëndijen kërkon fitore

Të fundit nga

ShkoLartë