Çfarë do të thotë funksionalizimi i Starlinkut në Kosovë?

December 22, 2024
min lexim

Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës.

Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.

Muaj më parë, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.

Çfarë do të thotë kjo?

Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.

Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.

Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.

Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, kishte thënë në nëntor për Radion Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un ishte hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë”, ka thënë Duraku – Rizaj.

Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.

Si funksionon?

Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.

Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.

Rrezarta Duraku Rizaj tregoi asokohe se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.

Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.

“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, tregoi ajo.

Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.

Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.

Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.

Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit./Radio Evropa e Lirë

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Amir Rrahmani: Mungesa e Buongiorno ndryshon diçka

Story i radhës

Arsenijeviq i heq dekorimet nga sheshi i Mitrovicës së Veriut, bën thirrje për rezistencë

Të fundit nga

ShkoLartë