E vetmja gjetje konkrete e hetimeve për tunelin nëntokësor që u hap në gusht mes bodrumit të një ndërtese banimi dhe Gjykatës së Lartë në qendër të Podgoricës, është se nga depoja e gjykatës janë zhdukur 19 armë.
Identiteti i gjashtë personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në gërmimin e tunelit ende është duke u hetuar dhe mësohet se është gjetur furgoni që ata përdorën.
Zyrtarisht ende nuk ka asnjë të dyshuar.
Ekzistenca e tunelit u zbulua më 11 shtator dhe tri ditë më vonë, Prokuroria Themelore filloi seancat dëgjimore të personave që mund të kishin informacione për bastisjen e depos, e cila u arrit përmes tunelit të gërmuar.
Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë shkelje serioze të sigurisë.
Në afërsi të tunelit ndodhet selia e Qeverisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi.
Karakteristikat e tunelit
Tuneli nëntokësor është rreth 30 metra i gjatë dhe rreth një metër i gjerë dhe po aq i lartë. Ai lidh bodrumin e ndërtesës së banimit – në rrugën “Njegosheva” në qendër të Podgoricës – me depon e Gjykatës së Lartë, midis së cilës ndodhet një rrugë.
Muret e tunelit janë të veshura me dërrasa, për të parandaluar shembjen e dheut dhe gurit. Lidhur me dheun, Velko Vasileviq, ekspert gjyqësor në fushën e ndërtimit, tha se ai ishte i butë, gjë që e bëri më të lehtë gërmimin.
Fundi i tunelit çon në depon e bodrumit të Gjykatës së Lartë, muri i së cilës është thyer në vendin ku ndodhen raftet me dosje. Hapja është, gjithashtu, pranë dhomës ku sillen dhe ndalohen të pandehurit para se të hyjnë në sallën e gjyqit.
Çfarë thonë pronarët e apartamentit?
Apartamenti është dhënë me qira në fund të korrikut dhe tuneli është zbuluar më 11 shtator. Supozohet se ai është groposur për një muaj e gjysmë, me shumë gjasa gjatë muajit gusht, ndërkohë që pjesa më e madhe e punonjësve të Gjykatës së Lartë ishin në pushime.
Pronarët u morën në pyetje nga Policia e Podgoricës. Pronarja tha se nuk i njihte personat që e morën me qira banesën. Është konstatuar se ata kanë përdorur dokumente false.
Aktualisht, policia nuk dyshon se pronari është i lidhur me këtë rast.
Si u zbulua tuneli?
Të hënën, më 11 shtator, zyrtarët e gjykatës zbuluan se dikush qëndronte në depo në bazë të rasteve të kontrolluara.
U njoftua policia, e cila ka nisur hetimet. Pas largimit të policisë, oficerët filluan inventarizimin e gjësendeve, gjatë të cilit u gjet një hapje pas raftit me lidhëse.
Çfarë ka në depon e Gjykatës?
Depoja përmban 100.000 sende, materiale provuese nga procese të shumta penale, lëndë gjyqësore, nëntë tonë drogë, 400 armë, municione, eksploziv…
Menjëherë pas hapjes së tunelit, kryetari i këtij institucioni, Boris Saviq, tha se “pothuajse asgjë nuk mungon”.
Kryeministri Dritan Abazoviq tha se janë zhdukur disa gjëra , përfshirë armët, gjë që ende nuk është konfirmuar nga gjykata.
Pas hetimeve, Prokuroria Themelore bëri të ditur se ende nuk dihet se çfarë ka humbur.
Burimi: GAZETA.MK