Autoritetet amerikane të sigurisë kanë ndare detaje për pasojat e të shtënave, që ndodhën të shtunën mbrëma në një tubim elektor të Donald Trumpit në Butler të Pennsylvania.
FBI-ja ka arritur të identifikojë sulmuesin që u neutralizua nga Shërbimi Sekret. Bëhet fjalë për Thomas Matthew Crooks, 20-vjeç, që jetonte në Bethel Pak, Pennsylvania rreth 35 milje në jug të vendit ku ka ndodhur sulmi.
Ai ishte vrarë në vendin e ngjarjes, kurse sipas të dhënave publike ishte regjistruar si votues republikan, por që kishte dhënë një donacion për një grup të vogël të lidhur me demokratët në vitin 2021.
Gjatë një konference për media, autoritetet e sigurisë thanë se nuk ekziston ndonjë rrezik shtesë dhe se janë duke hetuar rastin dhe se është herë të thuhet nëse sulmuesi ka vepruar i vetëm.
Gjatë këtij sulmi mbi i vdekur një mbështetës i Trumpit, që ishte pjesë e këtij tubimi si dhe dy tjerë janë plagosur dhe gjendja e tyre shëndetësore është kritike. Bëhet fjalë për tre burra, identiteti i të cilëve dihet, por që autoritetet kanë hezituar t’i zbulojnë.
Në anën tjetër edhe vetë ish-presidenti amerikan Donald Trump mbeti i lënduar nga një plumb që e goditi në veshin e djathtë. Zëdhënësi i tij tha se Trump “është mirë”, dhe se Shërbimi Sekret ka arritur ta shpëtojë.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth, Trump tha se është qëlluar nga një plumb në pjesën e sipërme të veshit të djathtë.
Shumë agjenci federale të sigurisë në SHBA po tentojnë të kuptojnë se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur, si kishte arritur sulmuesit të ketë qasje në lokacion, çfarë arme u përdor dhe çështje tjera që mbeten të panjohura për opinionin.
FBI i ka bërë thirrje qytetarëve që të japin çfarëdo informate, fotografi apo video lidhur me të shtënat që do të ndihmonin në ndriçimin e rastit.
Në momentin e të shtënave presidenti Joe Biden gjendej në Delaware, ku kishte planifikuar të qëndrojë për fundjavë, por që u detyruar të kthehet herët të dielën në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka dënuar sulmin ndaj Trumpit dhe ka bërë thirrje që dhunë e tillë nuk ka vend në SHBA – duke bërë të ditur se ka tentuar të vë kontakt me Trumpin, por që ishte e pamundur për shkak se gjendej në spital për trajtim.
Burimi: botasot.info