Edhe pse objekti gati, fëmijët nuk mund të shkojnë në këtë çerdhe.
“Dyert e çerdhes në Haraçinë të mbyllura dhe pa asnjë fëmijë, edhe pse është premtuar disa herë që do të hapet por përsëri ky objekt është jofunksional”, raporton Fazile Halili – gazetare TV21.
Një banorë i Haraçinës na tha se detyrohen që fëmijët t’i dërgojnë në çerdhet më të afërta të qytetit, duke bërë harxhime shtesë.
“Për momentin në qytet me të holla, kanë shkuar djemtë tanë në qytet për shkak të çerdhes. Të udhëtosh në këmbë nuk jemi në shekullin 17-18, nuk jemi”, tha një banor i Haraçinës.
Për shkak mungesës së çerdhes, shumë fëmijë qëndrojnë në shtëpi duke mbetur të pa socializuar.
“Askund, fëmijët tanë mbeten ashtu siç kanë qenë më parë. Kjo është e gjitha”, shtoi një tjetër banor.
Kryetari i Komunës Ridvan Ibrahimi tha se po përballet me procedura të shumta administrative kur bëhet fjalë vënia në funksion të këtij objekti. Ai shtoi se tashmë disa muaj çerdhja është e kompletuar tërësisht për mësim ku fillimisht pritet të sistemohen 115 fëmijë.
Pyetëm edhe ministrin për Punë sociale Fatmir Limanin, i cili u përgjigj:
“Haraçina trajtohet në mënyrë të veçantë dhe me prioritet, por në pyetje janë procedurat.Shërbimet janë në kontakte direkte me organet komunale”, u shpreh Fatmir Limani – ministër për Punë Sociale dhe Demografi.
Përveç Haraçinës, edhe kjo çerdhe në Çair ende nuk është hapur, teksa shihen disa ulëse të drurit dhe materiale ndërtimi përpara objektit.
“Poashtu edhe kjo çerdhe në Çair që është premtuar se do të hapet, këtu jashtë shihen disa materiale të cilat tregojnë se ende po punohet te ky objekt”, raporton Fazile Halili – gazetare TV21.
Për këtë ministri Fatmir Limani tha se në momentin që do të plotësohen kushtet ligjore, të cilat sipas tij janë në pragun e kompletimit, do të lëshohet në përdorim.
Ndryshe është edhe një çerdhe tjetër në Tetovë, e cila është gati, por edhe ajo nuk po hapet, për shkak se nuk ka staf të punësuar.
Burimi: TV21