Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mikpriti sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith me të cilin zhvilluoi bashkëbisedimin e fundit para përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Në takim u diskutua me detaje mbi përpjekjet e qeverisë britanike për fuqizimin e demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri dhe rajon, si dhe ndanë pikëpamjet e tyre mbi zhvillimet e fundit të ndryshimeve legjislative në Kodin Zgjedhor që mundësojnë votimin e shqiptarëve jashtë vendit dhe adresimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ambasadori King-Smith siguroi për vazhdimin e mbështetjes shumë-planëshe ndaj KQZ dhe forcimin e rolit koordinues të institucionit në kuadër të hetimit të krimeve zgjedhore dhe intensifikimit të mbikqyrjes së financimit të subjekteve dhe fushatave zgjedhore.
Celibashi i shprehu ambasadorit King-Smith mirënjohjen për rolin si mik i vërtetë dhe kampion i mbështetjes së KQZ-së dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri.