Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajulla Çeku, ka thënë se është duke u punuar me përkushtim të madh për organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive, Lojërave Mesdhetare 2030.
I pari i MKRS-së, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se sot Kosovën po e viziton Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, kryesuar nga presidenti Julian Pace Bonello, dhe të përcjellur nga sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis të cilët do të zhvillojnë takime me zyrtarë të nivelit të lartë institucionalë për ta konfirmuar mbështetjen e tyre për organizim e kësaj ngjarje joshëse sportive.
“Po punojmë me përkushtim të plotë që në vendin tonë të organizojmë një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë. Programi i Lojërave Mesdhetare përmbanë 24 sporte dhe pjesëmarrje të afër 5000 sportistëve.
Tashmë jemi një hap para. Sot në vendin tonë filluan vizitën Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, kryesuar nga presidenti Julian Pace Bonello, dhe të përcjellur nga sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis. Ata pritet të bëjnë vlerësim të gjendjes dhe zhvillojnë takime me zyrtarë të nivelit të lartë institucionalë për ta konfirmuar mbështetjen e tyre për organizim”, ka shkruar ministri Çeku.
Ministri Çeku ka treguar se çfarë përfiton Kosova me organizimin e Lojërave Mesdhetare.
“Çka përfiton Kosova me organizimin e Lojërave Mesdhetare?, konsolidim të imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcim të përkatësisë dhe identitetit shtetëror, infrastrukturë fizike të modernizuar, ekonomi të ringjallur përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të turizimit sportiv, fuqizim të rezultateve sportive dhe zhvillim të qëndrueshëm të sportit në vend”, ka shkruar ministri Çeku.