AMD prezantoi folenë AM4 të procesorëve në Shtator të 2016-ës. Që atëherë AMD e ka përdorur për një mori arkitekturash nga Zen+ deri në Zen 3.
Por me mikroarkitekturën e re Zen 4 që gjendet pas procesorëve Ryzen 7000, AMD do të lançojë një fole AM5 duke i dhënë fund epokës së AM4.
Por çfarë ka të re rreth AM5 dhe si është më mirë sesa AM4?
- Energji deri në 230-vat
Gjenerata e kaluar AM4 kishte një limit prej 142 TDP, duke kufizuar procesorët Zen 3 në vetëm 105-vat TDP nga kutia. Por me folenë AM5, AMD ka rritur kapacitetin maksimal në 230-vat duke lejuar procesorët Ryzen 7000 të kenë një TDP maksimale prej 170-vat.
Rritja e energjisë do të lejojë AMD të zhvillojë procesorë më të fuqishëm që kërkojnë më shumë fuqi. Prandaj edhe nëse kompania ndërton procesorë më të fuqishëm në të ardhmen, foleja AM5 do të arrijë të përmbushë nevojat e tyre për energji.
- Mbështetja për DDR5 dhe PCIe 5.0
Ndryshe nga foleja LGA 1700 e procesorëve të gjeneratës së 12-të Intel, që mbështet memorien DDR4 krahas asaj DDR5, foleja AM5 do të mbështetë vetëm DDR5. Kështu procesorët Ryzen 7000 do të funksionojnë vetëm me këtë lloje memorie. Edhe pse një lëvizja e tillë siguron performancë maksimale për procesorët AM5, në të njëjtën kohë DDR5 është shumë më e kushtueshme sesa DDR4.
Për shembull një modul memorie RAM Corsair Vengance RGB Pro 32GB DDR4-3600 kushton rreth 110 dollarë, varianti DDR5 Corsair Vengance 32GB DDR5-4800 kushton 150 dollarë.
Memoria RAM DDR4 nuk është fizikisht njëlloj si kanalet DDR5 prandaj duhet të blini një memorie të re DDR5 nëse po mendoni të shkoni për procesorët Ryzen 7000.
Foleja AM5 gjithashtu përdor PCIe 5.0 duke dyfishuar shpejtësinë e transferimit krahasuar me standardin PCIe 4.0. Përdoruesit do të marrin shpejtësinë maksimale nga disqet solide NVMe. Mbi të gjitha kanalet PCIe 5.0 funksionojnë edhe me SSD apo karta grafike PCIe 4.0.
- Mbështetje për ftohësit AM4
Gjatë prezantimit të procesorëve AMD, kompania tha se foleja AM5 mund të akomodojë ftohësit AM4. Kjo bën të mundur që përdoruesit të shfrytëzojnë ftohësit ekzistues që kanë në përdorim kur kalojnë në Ryzen 7000.
Duke qenë se AMD thotë që Ryzen 9 7950X është 47% më efikas në konsum energjie sesa Core i9-12900K, ftohësit për Ryzen 5000 do të jenë të mjaftueshëm për Ryzen 7000 përsa kohë përdoruesit kalojnë në procesorë të të njëjtit nivel si përshembull nga Ryzen 5 5600X në Ryzen 5 7600X.
- Çipsete të reja për pllakat amë
Për shkak se kemi të bëjmë me dy teknologji të reja si foleja AM5 dhe seritë Ryzen 7000, AMD pritet të prezantojë çipsete të reja për to. Kështu kompania zbuloi dy seri të reja, B650 që konsiderohet si buxhetori dhe X670 që konsiderohet çipseti i pllakave amë të segmentit të lartë.
X670 do të shitet në Shtator së bashku me debutimin e Ryzen 7000 ndërsa B650 një muaj më vonë në Tetor.
AMD do të prodhojë edhe versione Extreme të X670 dhe B650 duke zgjeruar funksionalitetin e PCIe 5.0 në memorie dhe karta grafike. Kujtojmë se në versione jo-Extreme, vetëm memoria NVMe ka PCIe 5.0.
Një fole e re dhe e ardhmja e procesorëve Ryzen
Kur AMD prezantoi AM4 në 2016-ën, ata premtuan se do të ishte e përshtatshme edhe për procesorët në 2020-ën. Dhe kompania e mbajti premtimin.
Gjatë prezantimit të procesorëve Ryzen 7000, AMD tha se platforma AM5 do të jetojë deri në 2025-ën. Kjo do të thotë se përdoruesit mund të përmirësojnë sistemet e tyre edhe me procesorë të prezantuar në vitet e ardhshme nga AMD, përfshirë këtu arkitektura të reja pa ndryshuar pllakën amë.
Prandaj nëse AM5 do të jetojë aq sa AM4, presim që të njëjtat pllaka amë që prezantohen sot, të akomodojnë në vitet e ardhshme edhe procesorët 3-nanometër. /PCWorld Albanian