Në Raszyn të Polonisë po mbahet Kampionati Europian i peshëngritjes për U-15 dhe për të rinj, aktivitet ku merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet nga Enkileda Carja dhe Ertjan Kofsha. Kuqezinjtë e vegjël të shtangës kanë mundur menjëherë të lënë gjysmë në këtë eveniment, teksa kanë koleksionuar tri medaljet e para, të cilat mbajnë firmën nga Enkileda Carja.
Enkileda Carja dhe trajnerja Eglantina Çuni
Peshëngritësja e talentuar e Elbasanit, e datëlindjes 2008, garoi në kategorinë e peshave 55 kg për moshat U-15.
Ndonëse e kishte pjesëmarrjen e parë në një aktivitetet ndërkombëtarë, Carja shkëlqeu duke fituar tri medalje bronzi. Sportistja që stërvitet nga trajnerja Eglantina Çuni, regjistroi 69 kg në stilin e shkëputjes dhe 83 kg në shtytje, për ta mbyllur dygarëshin me 152 kg.
Ky konsiderohet një rezultat fantastik për peshëngritjen tonë, ndërsa Enkileda Carja pritet të jetë ylli i radhës që lind në shtangën kuqezi. Më datë 17 gusht do të jetë radha e Ertjan Kofshës, një tjetër talent shumë premtues, nga i cili pritshmëritë janë të larta për zonën e medaljeve.