Veturat e parkuara nëpër parqe po shkatërrojnë gjelbërimin para ndërtesave në Çair. Në mungesë të parkingjeve të mjaftueshme, qytetarët po detyrohen që të parkohen në bari.
“Nëpër parqe nuk është e lejuar të parkohen veturat, ne vitet e fundit kemi krijuar mjaft hapsira apo parkingje të reja, por ka edhe qytetarë të cilët janë jo të përgjegjshëm dhe mund të parkojnë nëpër parqe, por normal që duhet t’i lajmërojnë dhe institucionet në fjalë të ndërrmarin masa”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Por, a po e shkaktojnë mungesën e parkingjeve ndërtimet e reja në Çair? Sipas Ganiu çdo ndërtese që ndërtohet i ka të parapara edhe parkingjet për vetura.
“Banesat e reja që po ndërtohen, ndërtohen me parkingje dhe me konform domethënë kërkesave apo procedurave të cilat janë të parapara për ta marrë lejen. Ndërsa ne çdo investitorë tashmë kemi filluar që të kërkojmë më tepër se sa është norma të krijojnë parkingje, dhe ju e dini ndërtesa e re që tashmë u bë edhe buja këtu te Çairi i vjetër lagjeja. Do të thotë ai shkon edhe një nivel më tepër se sa duhet për të krijuar hapsira të reja, për shkak e ligji e parasheh një banesë një veturë, por ne jemi dëshmitarë se tani çdo familje i ka nga 2 vetura”, deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Ndryshe komuna e Çairit nëpër disa lagje ka ndërtuar parkingje të reja, por si duket ato janë të pa mjaftueshme.
Për momentin në Çair po bëhet riparimi i një pjesë të rrugës “Parashqevi Qiriazi” ose siç njihet me emrin e vjetër “Pavle Iliq”.