Prodhuesi Kinez i makinave elektrike BYD zbuloi një teknologji të re karikimi të shpejtë që mund të shtojë 400km në 5 minuta karikim. Me këtë lajm BYD gjithashtu premtoi të bënte investime madhore në infrastrukturën e karikimit duke ndërtuar 4,000 karikues të rinj me këtë teknologji në mbarë Kinën.
E quajtur “Super e-Platform”, teknologjia është e aftë të karikojë me shpejtësi prej 1,000kW, ose dyfishin e karikuesve Tesla V4 të cilët kanë një limit prej 500kW. Teknologjia më e shpejtë e karikimit fillimisht është e disponueshme vetëm në dy mjete të reja, Han L Sedan dhe Tang L SUV të cilët fillojnë prej 37 mijë dollarësh.
Teknologjia e re e karikimit nuk është risia e vetme e BYD që kapi vëmendjen në mbarë botën. Në fillim të muajit kompania prezantoi një platformë për lëshimin e dronëve që mund të vendoset mbi të gjitha makinat dhe është dizajnuar në bashkëpunim me DJI. Dronët mund të fluturojnë dhe ulen në këtë platformë në shpejtësitë 25km/h.
Kompania gjithashtu po mbyll hendekun me Tesla pasi shiti 1.76 milionë makina në 2024, shumë pranë Tesla me 1.79 milionë makina të shitura. Por duhet theksuar se 90 përqind e makinave të shitura nga BYD kanë qenë në Kinë. /PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al