Shorti i 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve e ka vënë Realin përballë Lajpcigut.
Një short i favorshëm në dukje, por në Madrid nuk i besojnë aspak gjermanëve.
Skuadra e bardhë e njeh në mënyrë të përsosur Champions-in dhe e di se relaksimi më i vogël të dënon në një kompeticion që nuk fal.
“Ata janë një ekip i madh, vitin e kaluar ne kemi luajtur dhe kemi vuajtur kundër tyre në fazën e grupeve. U mundëm në Gjermani dhe fituam në Spanjë.
Ata janë në një moment pozitiv. Nuk e them thjesht për korrektesë, por jam i bindur se ndaj tyre do të na presin dy ndeshje shumë të vështira”, tha Emilio Butraguenjo, përfaqësuesi i Realit të Madridit në shortin e zhvilluar në Nion.
Thënë këto, drejtori i marrëdhënieve institucionale të Realit e ka shpallur qartë objektivin e skuadrës së Ançelotit.
“Nuk ka ndonjë sekret në këtë mes, objektivi ynë është i qartë, duam të jemi në shortin e ardhshëm. megjithatë është ende herët për të folur për sfida që do të luhen pas dy muajsh e më shumë.
Tani për ne është e rëndësishme të fokusohemi te kompeticionet që kemi në Spanjë, në La Liga, Kupën e Mbretit që nis në janar dhe më pas Superkupën e Spanjës. E rëndësishme është të mbërrijmë mirë në shkurt”, tha ai.