Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka theksuar se pavarësisht se në tryezën e bisedimeve me BE-së prej rreth një dekade, Serbia vijon të sfidojë rregullat bazë të rendit ndërkombëtar të vendosur në rajon pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, duke kundërshtuar në çdo mënyrë shtetësinë e Kosovës, funksionalitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Sipas tij, BE-ja nuk e ka shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ndonëse ka kaluar një vit, pyetja që kërkon përgjigjë është se përse i mohohet Kosovës mundësia për të demonstruar vullnetin politik për transformim?.
“A ka të bëjë kjo veç me pozicionin e ngurtë të pesëshes mosnjohëse ndaj Kosovës apo edhe me mungesën e kapacitetit të BE për të përfunduar projektet e shtetësisë në rajonin tonë?”, tha ai.
“Fotografia e tubimit të fitores së zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit, ku Presidenti i Serbisë shoqërohej nga Presidenti i Republikës Srpska të Bosnje-Hercegovinës, Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, ministri i çështjeve të sigurisë të Bosnje-Hercegovinës, sikur të ishin pjesë e skuadrës elektorale, flet më shumë sesa njëmijë fjalë”, shkruan Bushati në një analizë që është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”.
Ai ka tha se që prej vitit 2017, kur mbylli tre kapituj të negociatave me BE-në, Mali i Zi nuk ka hedhur asnjë hap të mëtejshëm në këtë proces
“Zhvillimet në lindje të kontinentit janë në kontrast të fortë me Ballkanin Perëndimor, ku elitat politike në përgjithësi kanë kultivuar ndjenjën e vetëkënaqësisë duke ofruar zgjidhje të thjeshta për probleme komplekse dhe bindjen se mund mund të vazhdojnë të tregojnë në mënyrë cinike fabulën e anëtarësimit në BE, pa pronësi mbi reformat që sigurojnë transformim thelbësor”, tha ai,.
Sipas tij, diferenca qëndron tek mungesa e vullnetit politik që është i pazëvendësueshëm në këtë proces. Kjo është arsyeja që Ballkani Perëndimor vijon të jetë në karusel.
“Po aq larg BE-së sa edhe para realietit të ri gjeopolitik që jetojmë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, pavarësisht përsëritjes së retorikës përbetuese të dyanshme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si synim strategjik i dyanshëm. Takimet e përbashkëta të BE-së me Ballkanin Perëndimor nuk e mbulojnë dot simbiozën e pandershmërisë intelektuale që mbizotëron në këtë proces. Një pjesë e vendeve të rajonit presin që të promovohen duke identifikuar dobësitë ekzistuese të vetë BE-së, në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e sundimit të së drejtës”, tha ai.
Duke shtuar se zhbllokimi i fondeve të BE-së ndaj Hungarisë, pavarësisht rrënimit të standardeve të sundimit të së drejtës, në këmbim të lejimit të vendimmarjes për hapjen e negociatave me Ukrainën, vendos pikëpyetje të forta për kushtëzimin demokratik e financiar si element i rëndësishëm në procesin e transformimit demokratik.
“Po të shtosh këtu edhe raportet e Komisionit Europian, të cilat janë më shumë përshkruese sesa diagnoztikuese, kuptohet qartë se konsolidimi i projektit europian në këtë kënd të Europës kërkon para së gjithash vullnet politik të dyanshëm”, ka shkruar ish-kryedipomati shqiptar.