UASHINGTON – Rusia ka krijuar më shumë përmbajtje duke përdorur inteligjencën artificiale për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane se cilado fuqi tjetër e huaj, në kuadër të përpjekjeve të tyre më të gjera për të përforcuar kandidaturën e republikanit Donald Trump ndaj demokrates Kamala Harris, deklaroi të hënën një zyrtar amerikan i zbulimit.
Zyrtari nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI), i cili foli me kusht që të mos identifikoje me emër, i bëri këto komente gjatë një takimi informues me gazetarë rreth përdorimit të pretenduar të inteligjencës artificiale nga Rusia dhe shtetet e tjera për të ndikuar në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Përmbajtja e prodhuar nga Moska duke përdorur inteligjencën artificiale “përputhet me përpjekjet më të gjera të Rusisë për të përforcuar kandidaturën e ish Presidentit Trump dhe për të denigruar Nënpresidenten Harris dhe Partinë Demokrate, përfshirë përmes teorive konspirative”, tha ai.
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar këto deklarata. Në të kaluarën Rusia ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.
Përdorimi i inteligjencës artificiale për të prodhuar përmbajtje bazohet në të dhënat paraprake për të vepruar. Në këtë formë, ajo krijon përmbajtje të re në formë teksti të shkruar, fotografish dhe video-incizime që duket sikur të jenë krijuar nga njerëzit.
Zyrtari i ODNI-së tha se Rusia ka prodhuar më shumë përmbajtje duke përdorur inteligjencën artificiale për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit se cilido shtet tjetër, por nuk dha ndonjë shifër për sasinë e përmbajtjes së prodhuar nga inteligjenca artificiale.
Ai tha se Rusia është një aktor shumë më i sofistikuar dhe se e kupton shumë më mirë procesin e zgjedhjeve amerikane dhe objektivat e caktuar.
I pyetur se si Rusia po shpërndan përmbajtjen e krijuar me inteligjencë artificiale, zyrtari e mori si shembull njoftimin e 9 korrikut të Departamentit të Drejtësisë për shpartallimin e një operacioni që pretendohet se kishte mbështetjen e Moskës, i cili përdori llogari të rrjeteve sociale të fuqizuara nga inteligjenca artificiale për të shpërndarë mesazhe pro-Kremlin në Shtetet e Bashkuara dhe gjetiu.
Zyrtari tha se “aktorët rusë të ndikimit” inskenuan një video-regjistrim mbi të cilën u raportua shumë, në të cilën një grua pretendon se ishte viktimë e një aksidenti të shkaktuar nga zonja Harris, e cila pasi e kishte goditur kishte braktisur vendin e ngjarjes. Video-incizimi, megjithatë, ishte i inskenuar dhe jo i prodhuar nga inteligjenca artificiale, tha ai. ‘Microsoft’ njoftoi javën e kaluar se hulumtimet e tyre treguan që ky video-incizim ishte vepër e një operacioni rus të dezinformimit.
Kina ka përdorur përmbajtje të krijuar përmes inteligjencës artificiale në përpjekje për të ndikuar tek imazhi i saj në botë, por jo për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve amerikane, tha zyrtari.
“Kina po përdor inteligjencën artificiale si pjesë të operacioneve më të gjera që synojnë t’u japin formë qëndrimeve botërore për Kinën dhe për të zmadhojë çështjet përçarëse në politikën amerikane”, tha zyrtari. “Ende nuk po shohim se Kina po përdor inteligjencën artificiale për ndonjë operacion të veçantë që ka për objektiv rezultatin zgjedhor amerikan.”
Aktorët iranianë të ndikimit kanë përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar postime në rrjetet sociale dhe “për të shkruar artikuj gazetash të jo autentike për faqe interneti që pretendojnë se janë faqe të vërteta interneti të lajmeve”, tha zyrtari.
Përmbajtjet e krijuara nga aktorët iranianë janë në gjuhën angleze dhe spanjolle. Ato kishin për objektiv votuesit amerikanë “në gjithë spektrin politik për çështje polarizuese” siç janë Izraeli dhe konflikti në Gazë dhe rreth kandidatëve presidencialë, tha zyrtari.
Misioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Irani në të kaluarën ka mohuar pretendimet se po ndërhyn në zgjedhjet amerikane./VOA
Burimi: botasot.info