Bundeswehr: Burokracia pengon modernizimin?

June 7, 2022
min lexim

Ushtria gjermane duhet të aftësohet sërisht për të gjitha misionet. Por pikërisht autoriteti që duhet ta ndihmojë atë ka probleme.

Në faqen kryesore të Bundeswehrit, bota e ushtrisë është ende në rregull. Bundeswehri atje përmbledh imazhin e vet me tre fjalë: “Ne i shërbejmë Gjermanisë.” Por “të shërbesh për Gjermaninë” nuk është fare e lehtë. Ushtria, forcat ajrore dhe marina kanë vuajtur për vite të tëra nga mungesa e pajisjeve. Kanë munguar tanke dhe helikopterë operativë, jelekë mbrojtës, çanta shpine dhe pajisje për shikim natën. Madje edhe të brendshmet e ngrohta për trupat në krahun lindor të NATO-s kanë munguar.

Bundeswehri i (pa)aftë për misione

Ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht thotë për gjendjen: “Në letër, ne kemi 350 automjete luftarake të këmbësorisë Puma, nga të cilat vetëm 150 janë në fakt funksionale”. Situata është e ngjashme me helikopterin Tiger – vetëm nëntë nga 51 helikopterë të tillë janë në funksion të plotë, tha Lambrecht në një debat në Bundestag në fund të prillit.

Qeveria tani dëshiron t’i përmirësojë gjërat. Ajo ka siguruar një fond prej 100 miliardë eurosh për pajisjen dhe riarmatimin e ushtrisë. Modernizimi i Bundeswehrit nuk duhet të dështojë për shkak të parave. Por kritikët thonë se mund të ketë probleme me autoritetin që është përgjegjës për blerjet: Zyra Federale për Pajisjet, Teknologjinë e Informacionit dhe Përdorimin e Forcave të Armatosura Gjermane, shkurt BAAINBw. Vetëm në selinë e tyre në Koblenz ka 6.500 vende pune. Gjithsej rreth 11.000 punonjës punojnë në zyrën e prokurimit në 116 lokacione. Ato rregullojnë blerjen e gjithçkaje, nga teknologjia e lartë deri te çorapet.

Një autoritet i madh dhe jo fleksibël?

Por: BAAINBw ka pasur nevojë urgjente për reforma prej vitesh. Disa ministra të Mbrojtjes nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Kritikët thonë se ky është një mashtrim administrativ i planifikuar që i vonon proceset në vend. “Ne jetojmë në një nga vendet më të pasura në botë në mes të Evropës, kemi 184.000 ushtarë dhe ata nuk kanë gjërat e domosdoshme. Ky është skandal”, kritikoi e ngarkuara për ushrinë Eva Högl para pak ditësh.

Parashutistët, për shembull, kanë dhjetë vjet që presin një helmetë të re, tha për “tageszeitung” “avokatja” e ushtrisë në Parlament. Problemi është se helmeta, e cila përdoret në SHBA, “së pari duhet të testohet nëse përshtatet edhe në kokat gjermane dhe vërtet mbron siç kërkohet me standardet gjermane”, u ankua Högl.

Image

Foto ilustrim

Në Televizionin e Dytë Gjerman, ZDF ajo foli edhe për një batalion tankesh që duhet të punojë me radiolidhje të vjetra 30-vjeçare dhe për këtë shkak nuk ishte në gjendje të komandonte apo komunikonte gjatë manovrave të NATO-s.

Grindjet e gjata

Një problem tjetër: mospajtimet rreth G36. Në vitin 2015, ministrja e atëhershme e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU) vendosi t’i jepte fund përdorimit të kësaj pushke. Nga viti 2017 u bënë përpjekje për të gjetur një pushkë tjetër për përdorim. “Sot, në vitin 2022, i gjithë procesi është shdnërruar në një mosmarrëveshje ligjore, që nuk mund të përfundojë para vjeshtës. Kjo është thjesht një procedurë tepër e zgjatur për një produkt relativisht të thjeshtë, siç është pushka”, shkruan Frank Sauer nga Universiteti i Bundeswehrit në Mynih, për DW.

A është pra sistemi i prokurimit shkaku i pajisjeve të këqija të ushtrisë? A është pjesërisht fajtor BAAINBw për faktin se Bundeswehri është “pak a shumë pa pajisje”, siç shkroi çuditërisht hapur inspektori i ushtrisë Alfons Mais në rrjetin LinkedIn kur rusët pushtuan Ukrainën? “Sigurisht që burokracia gjermane e mbrojtjes është absolutisht monstruoze”, thotë Sauer. “Por thjesht vetëm kalimi i parave në duart e BAAINBw nuk na çon askund.” Zyra e prokurimit mund të funksionojë vetëm brenda kornizës së ligjit në fuqi, me pak liri veprimi.

Varësia nga politika

Image

Foto ilustrim

Sepse autoriteti duhet t’u përmbahet rregullave të BE-së për tenderët si dhe vendimeve politike. “Shumë probleme qëndrojnë jashtë zyrës së prokurimit, sepse ajo në thelb bën atë që i thuhet të bëjë,” tha për DW, Christian Mölling nga Shoqëria Gjermane për Marrëdhëniet me Jashtë, DGAP. Nëse kuadri ligjor dhe kërkesat politike ndryshojnë, proceset mund të thjeshtohen dhe përshpejtohen.

Një tjetër opsion, por më i vështirë do të ishte shtyrja e kufijve të asaj që është e mundur ligjërisht, shpjegon Mölling. “Por përvoja e punonjësve është se nëse përdor këtë liri dhe diçka shkon keq, nuk ke mbulim nga politika. Nëse diçka nuk shkon, përfundon në gjykatë në rast dyshimi dhe askush nuk është i mbrojtur.”

Përgatitjet

Shkaqet e prishjes së pajisjeve bazohen gjithashtu në të kaluarën e afërt gjermane. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, politikanët përcaktuan masa shtrënguese për forcat e armatosura dhe buxheti i mbrojtjes u zvogëlua. Shumë armë dhe sisteme armatimi u vjetëruan. Pajisjet u lanë pas dore, ndërsa administrata fryhej gjithnjë e më shumë. “Në përgjithësi, ne jemi orientuar në rehatinë e kohës së paqes dhe kemi një burokraci të tepërt. Tani po e shohim këtë problem të madh,” thotë Frank Sauer nga Universiteti Bundeswehr.

Image

Foto ilustrim

Hapat e parë të reformës janë hedhur. Kabineti qeveritar ka vendosur që mallrat e nevojshme urgjente mund të prokurohen drejtpërdrejt pa procedura të mëdha në përputhje me një rregullore të BE-së. Blerja direkte vlen edhe për të gjitha produktet që kushtojnë më pak se një mijë euro. Por kjo nuk mjafton, thotë Sauer. Ka nevoja për rregullimin dhe thjeshtësimin e blerjeve të pajisjeve të mëdha.

Sauer bën thirrje për një ndryshim thelbësor në mentalitet dhe struktura. Pika e kthesës e shpallur nga kancelari Olaf Scholz do të thotë gjithashtu “më në fund rimendim, duke u bërë më fleksibël dhe më të shkathët – siç kërkohet nga sfidat e politikës së sigurisë të shekullit të 21-të. Kjo duhet të fillojë të bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes.”

Gjithçka e drejtë dhe megjithatë e gabuar

Edhe Christian Mölling nga DGAP është pesimist për të ardhmen. Ai i sheh si një sfidë të madhe logjistike projektet që do të financohen nga fondi special me vlerë njëqind miliardë euro. “Përpara nesh qëndron një mal prokurimesh që kërkon një vëmendje, kontroll dhe rregullim të jashtëzakonshëm, për të cilin aparati padyshim nuk është i përgatitur”. Prandaj, ekziston një mundësi e madhe për gabime. “Ne do të përjetojmë zhvillime të pakëndshme gjatë viteve të ardhshme,” parashikon Mölling.

Ai shqetësohet se fokusi mund të mos jetë cilësia por ndjekja e procedurave të përcaktuara. “Në fund situata mund të jetë kështu: Të gjitha rregulloret janë respektuar por Bundeswehri nuk është pajisur si duhet.”/DW

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Lazim Destani i ftuar nga Bundestagu merr pjesë në takimin vjetor në Berlin

Story i radhës

Faleminderit Lavrovit për dy të vërtetat e “Ballkanit të hapur”

Të fundit nga

ShkoLartë