Policia e Afrikës së Jugut ka arrestuar pesë persona të dyshuar për një sulm brutal ndaj blegtorit Donovan Marx, i cili u rrah, u godit me thikë, u qëllua me armë zjarri dhe u torturua gjatë një grabitjeje.
Marx (50), u sulmua të mërkurën e kaluar në fermën e tij në Ventersdorp, në provincën e Veriperëndimit, ndërsa autorët i prenë veshët, raporton BBC.
Sipas një raporti të policisë, një grup burrash të armatosur dhe të maskuar iu afruan fillimisht një punëtori që po kosiste barin para shtëpisë së Marx.
Ata pyetën se ku ndodhej Marx dhe më pas ia lidhën punëtorit duart e këmbët. Kur bujku u kthye në shtëpi, dy nga sulmuesit e përballuan atë dhe e qëlluan në pjesën e sipërme të trupit. Më pas e tërhoqën zvarrë brenda në shtëpi, e lidhën dhe sipas akuzave e goditën me thikë.
Sulmuesit kontrolluan shtëpinë, vodhën tri armë zjarri nga një kasafortë dhe u larguan me furgonin e Marx. Punëtori më vonë arriti të lirohej dhe të kërkonte ndihmë, pas së cilës Marx u dërgua me urgjencë në spital. Donovan Marx vazhdon të jetë i shtruar në spital.
Mediat lokale raportojnë se kirurgët nuk mundën t’i shpëtonin veshët e tij dhe se, me gjasë, ai do të ketë nevojë për proteza.
Ministri i Bujqësisë i Afrikës së Jugut, Willie Aucamp, e dënoi sulmin, duke deklaruar se në vend “nuk ka vend për akte të tilla të pakuptimta dhe barbare”.
Pesë të dyshuarit, të moshës midis 26 dhe 56 vjeç, pritet të dalin nesër para gjykatës.
Burimi: botasot.info


