Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka dënuar sulmet e sotme ruse mbi territorin e Ukrainës. Osmani thotë se autorët e këtyre sulmeve duhet të përgjigjen për krime lufte.
“Sulmet e sotme me raketa ndaj objektivave civile në Kiev, Lavov, Dnipro, Harkov, Krivi Rih dhe pjesë të tjera të Ukrainës janë shkelje flagrante e të Drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe një minim shtesë i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Republika e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër veprimet e tilla të papranueshme, të kryera nga Rusia, të cilat rezultojnë me viktima të pafajshme njerëzore”.
“Autorët e sulmeve duhet të sillen para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimet e luftës. Edhe një herë riafirmojmë solidaritetin tonë me popullin ukrainas, si dhe mbështetjen tonë të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke bërë një tjetër thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjithë veprimeve luftarake dhe tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga vend”, shkruan Osmani.